Tiranë, 13 tetor, NOA – Selia blu ka hedhur sot akuza ndaj deputetes socialiste Olta Xhaçka, e cila sipas PD-së ka trashëguar paratë që u vodhi shqiptarëve firma piramidale “Gjallica”.
Duke i drejtuar disa pyetje deputetes Xhaçka, zëdhënësja e Partisë demokratike, Albana Mustafaraj i bëri thirrjes deputetes socialiste, që njihet si “Miss Gjallica” të sqarojë përpara opinionit publik lidhjet e saj me firmën piramidale “Gjallica”.
“Publiku shqiptar kërkon të dijë, a është shkolluar në SHBA me paratë e firmës, kjo zonjë që njihet si “Miss Gjallica” dhe ç’farë pasurish trashëgon nga firma Gjallica”, tha Mustafaraj.
Ajo i kërkoi deputetes Xhaçka të tregojë se një pjesëtar i familjes së saj ka lidhje me trafikun e fëmijëve.
Më tej, zëdhënësja e PD-së, i kërkoi deputetes të deklarojë se “Me ç’farë parash është ndërtuar në Tiranë, vila trekatëshe me sipërfaqe mbi 800 metra katrorë, e shitur në vitin 1999 për një vlerë prej 100 mijë dollarësh.
Në emër të Partisë Demokratike, zonja Mustafaraj i bëri thirrje deputetes Olta Xhaçka të përgjigjet publikisht për akuzat në fjalë, pasi është me rëndësi për transparencën e fakteve përballë publikut shqiptar dhe elektoratit në Korçë, që i dha votën për të qenë në Kuvendin e Shqipërisë.
mit/NOA