Shkup, 13 tetor 2010 - Partia Demokratike Shqiptare e opozitës në Maqedoni ka paralajmëruar thirrjen për të mos marrë pjesë në regjistrimin e popullsisë, që do të mbahen në prill të vitit të ardhshëm, nëse nuk pranohen kërkesat e parashtruar, që sipas saj, garantojnë rregullshmërinë e regjistrimit.
PDSH kërkon që të gjitha vendimet nga organet kompetente që do realizojnë regjistrimin e popullsisë të miratohen me konsensus, dhe në të gjitha komisionet përkatëse të përfshihen përfaqësuesit e partive më të mëdha politike. "Duke marrë parasysh se një numër i madh i shqiptarëve për arsye nga më të ndryshmet nuk kanë nënshtetësi, propozojmë që procedura e regjistrimit të kësaj kategorie të rregullohet me një kapitull të veçantë në ligj, ku do të përfshihen të gjithë personat që plotësojnë kushtet elementare për nënshtetësi”, deklaroi Imer Aliu, deputet dhe anëtar i Kryesisë qendrore të PDSH-së i cituar sot nga radio Evropa e Lirë. Kjo parti gjithashtu kërkon të ketë nga dy kopje nga fleta e regjistrimit, diaspora të regjistrohet aty ku jeton dhe vepron, formularët të jenë në dy gjuhë si dhe të ketë nëpunës shqiptar edhe në vendbanimet ku nuk ka shqiptarë. PDSH konsideron se monitorimi nuk duhet të mbikëqyret vetëm nga EUROSTAT-i, por edhe nga OSBE-ja si dhe zyra amerikane për regjistrim.