Fier, 13 tetor, NOA – Nga qyteti i Fierit ku ndodhej për vizitë pune Presidenti i Republikës, Bamir Topi, i pyetur mbi shqetësimet për reformën zgjedhore të adresuara në një letër për kryeministrin Berisha nga komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle tha se “besoj që është e drejta ekskluzive e zotit Fyle për të ndarë shqetësimet në kuadrin edhe të një bashkëpunimi, por edhe pozicioni institucional, që ka zoti Fyle”.
“Ne jemi vazhdimisht në kontakt me përfaqësuesit e nderuar që ka Bashkimi Evropian. Sigurisht që reforma zgjedhore, sikurse është thënë, është një moment i rëndësishëm i reformës në vazhdimësi, që ka të bëjë me Kodin Zgjedhor dhe me nevojën që zgjedhjet e radhës të jenë gjithmonë më të mira se zgjedhjet paraardhëse. Kështu që nuk kam asnjë koment negativ për çdo komunikim institucional që bëhet në favor të përmirësimit të punës”, theksoi kreu i shtetit.
I pyetur mbi procesin e miratimit të kandidatëve në Gjykatën Kushtetuese, Presidenti Topi u shpreh në mënyrë diplomatike duke thënë se “Unë e kam thënë vazhdimisht që Presidenti respekton pavarësinë e çdo institucioni. Asnjëherë nuk kam komentuar dhe nuk besoj se do të bie në atë pozicion që të komentoj vendimet e Parlamentit, i cili është sovran në çdo moment. Kështu që nuk kam koment tjetër për këtë”.
Ndërsa, i pyetur për vizionin e tij për rolin e Prokurorisë në situatën politike, Presidenti u përgjigj: “Jam edhe një herë në kuadër të vlerësimit të pozicioneve të pavarura. Nuk dëshiroj që të marr pozicionin e atij që i bën promocion, apo që është avokat i Prokurorisë”.
Në këtë suazë, kreu i shtetit, nënvizoi se “institucioni i Prokurorisë është një institucion i ndërtuar me ligj, i decentralizuar dhe ka të gjitha detyrimet dhe kompetencat e veta dhe unë e inkurajoj që të bëjë punën e vet”.
Presidenti Topi i bëri këto deklarata gjatë vizitës së tij të punës në qytetin e Fierit. Kryetari i shtetit, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit pati takime të veçanta me Kryetarin e Bashkisë së Fierit, Baftjar Zeqaj dhe me Kryetarin e Këshillit të Qarkut, Luan Muçaj, të cilët i uruan Presidentit të Republikës mirëseardhjen edhe në emër të qytetarëve fierakë. Në këto takime, Presidenti Topi u interesua mbi mbarëvajtjen e punëve në qytetin e Fierit, duke i kushtuar vëmendje më të posaçme çështjeve të drejtësisë, rendit, por edhe të zhvillimit ekonomik, turistik, arsimor, shëndetësor dhe kulturor në këtë qytet.
Kryetari i Shtetit vuri në dukje se Fieri është një qytet me burime të panumërta kulturore, arkeologjike, turistike dhe intelektuale, duke theksuar se “bashkëpunimi dhe përkushtimi i ndërsjellë midis institucioneve të këtij qyteti, premton një ecuri pozitive dhe zhvillim bashkëkohor në të gjitha këto fusha në interes të qytetarëve”, tha Presidenti Bamir Topi.
mit/NOA