Prishtinë, 13 Tetor 2010 NOA/RFE Albana Isufi - Sekretarja amerikane e Shtetit, Hillary Clinton, është pritur ngrohtë në Prishtinë.
Qyteti i zbukuruar me flamuj amerikanë dhe shtetërorë, si dhe panotë me fotografinë e zonjës Clinton, i kanë uruar mirëseardhje Sekretares amerikane, e cila në Aeroportin e Prishtinës arriti pak para mesditës.
Ajo u prit në aeroport nga ministri i Jashtëm, Skënder Hyseni, ndërsa u nderua nga Garda Ceremoniale e Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Ndalesa e parë e zonjës Clinton, edhe pse e paparalajmëruar, ishte te statuja e bashkëshortit të saj, ish-presidentit Bill Clinton, në bulevardin që mban po ashtu emrin e tij.
Zonja Clinton përshëndeti masën që e duartrokiste, ndërsa qëndroi shkurt në dyqanin afër statujës, që mban emrin e saj - Hillary. Qytetarë të shumtë pritën me orë të tëra edhe para ndërtesës së Kuvendit të Kosovës që ta shohin zonjën Clinton, e cila duke dalë nga ndërtesa përshëndeti me dorë masën e tubuar.
Qytetarët e emocionuar...
Mendushe Curri është një nga qytetarët që priti një kohë të gjatë për ta parë zonjën Clinton. “Kemi dalë ta presim zonjën e madhe Hillary Clinton. Na kanë shpëtuar nga kthetrat e barbarit, normalisht. I kemi shumë borxh. Asnjëherë s’mund t’i dalim nga haku. Pritja është më e pakta që mund të bëjmë. Por, zemra e çdo shqiptari e di se sa e do”, tha Curri. Disa nga qytetarët thanë se ende i ruajnë imazhet e vizitës së zonjës Clinton në kampet e refugjatëve në Maqedoni, në kohën kur më shumë se një milion kosovarë ishin deportuar nga Kosova. Shqiptarët e Kosovës ia atribuojnë meritat kryesore për çlirim presidentit Bill Clinton, por duke mos harruar edhe ish-zonjën e parë, Hillary Clinton. Një grua e moshuar, Sanije Tahiri, u shpreh kështu për familjen Clinton: “Ata kanë bërë shumë. Na e kanë liruar Kosovën”. Duke mbajtur një pano me mbishkrimin “Faleminderit familja Clinton- Faleminderit Amerikë”, Nexhmedin Llapashtica nga Prishtina i përmendi dy arsye pse ka dalë ta presë zonjën Clinton. “Unë kam dalë me qëllim që të bind SHBA-të dhe familjen Clinton se i nderojmë, i duam dhe duam t'i respektojmë gjithnjë. Kërkesa ime, dalja ime këtu, është vetëm për një arsye: T'i bind që mos të na lënë vetëm. Mos t’i lënë vetëm shqiptarët në Kosovë dhe gjithkund. Jemi miq, familja Clinton, mos na lini vetëm”, u shpreh Llapashtica.
{youtube}qeHqGstCJpA{/youtube}
Prishtinë
Gjatë tërë vizitës së saj, zonja Clinton është përcjellë nga njësia elite e motoristëve të Policisë së Kosovës, ndërsa prani e shtuar e masave të sigurisë është parë kudo në kryeqytet, sikurse edhe në vendet, nëpër të cilat ka kaluar zonja Clinton. Zyrtarët e Policisë së Kosovës deklaruan se i kanë marrë të gjitha masat për të siguruar një ambient të qetë me rastin e kësaj vizite. Zyrtarja për informim në Policinë e Kosovës, Sabrie Kamberi, bëri të ditur se për këtë vizitë është hartuar një plan i veçantë.
“Është përgatitur plani operativ nga Policia e Kosovës, më konkretisht nga shtylla operative. Janë bërë të gjitha përgatitjet për pritjen e zonjës Clinton. Ne edhe më herët kemi pasur vizita të personaliteteve të nivelit çfarë është kjo vizitë e sotme dhe vërtet janë realizuar në mënyrën më të mirë të mundshme. Presim që edhe kësaj radhe të realizohet plani sipas asaj që është paraparë, në mënyrën më të mirë të mundshme”, tha Kamberi. Kosovën e ka vizituar majin e vitit të kaluar nënpresidenti amerikan, Joe Biden, të cilit po ashtu i qe rezervuar një pritje e ngrohtë, si nga udhëheqësit e Kosovës, ashtu edhe nga qytetarët.