Tiranë, 13 tetor, NOA – Dritëro Agolli vërtet është një simbol i socialistëve, por është njëkohësisht shumë më tepër se kaq, është një pikë referimi e krejt shoqërisë tonë, një pikë referimi e historisë tonë.
Kështu është shprehur kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, me rastin e 79-vjetorit të ditëlindjes së shkrimtarit Dritëro Agolli, gjatë një takimi me të, duke u shprehur ndër të tjera se ishte kënaqësi e veçantë që në këtë ditë ta uronte dhe të “merrte nga rrezatimi i energjisë dhe i humorit të tij”.
“Ishte kënaqësi e veçantë që në këtë ditë të zymtë vjeshte, t’i uronim 100 vjet Dritëro Agollit dhe të merrnim nga rrezatimi i energjisë dhe i humorit të tij”, tha Rama me këtë rast.
Duke shtuar se Dritëroi mbetet një pikë referimi e historisë tonë, një pikë referimi edhe e të gjitha atyre vlerave dhe gjithë atyre normave sa tradicionale aq edhe universale që ai është përpjekur vijimësisht t’i promovojë dhe t’i mishërojë me veprën dhe me shembullin e tij.
n.e/NOA