English

Restaurimi i sharmit të Kabulit

Nga Charles Recknagel

Kabuli është një qytet i lashtë, i cili ka humbur shumë nga ndërtesat e vjetra nga vitet e luftës dhe mosndërhyrja e dorës së njeriut.

Por, një projekt për rindërtimin e një lagjeje të vjetër ka zbuluar sharmin historik të kryeqytetit. Për t’i zbuluar bukuritë e qytetit, duhet vizituar çdo skutë të tij, ku tregjet e vjetra duken sikur kanë mbirë pas vërshimeve të pranverës. Sidoqoftë, atje nuk mungojnë as ndërtesat e stilit sovjetik, me dyqane betoni që rrethojnë tregun dhe zhyten në labirintin e tymit dhe zhurmës. Teksa po ngrihet tymi nga farkëtarët, para syve paraqitet lagjja Murad Khan. Për dekada të tëra, kjo lagje, e cila një kohë shquhej me shtëpi të mëdha, është lënë pas dore, saqë thjesht ka nisur të rrënohet. Shtëpitë e vjetra me tulla duken si fantazma pa banorët e tyre. Por, tash Murad Khan po ringjallet. Që nga viti 2006, lagjja është bërë qendër e përpjekjeve të rindërtimit masiv, të financuara kryesisht nga donatorë të huaj. Derisa ndërtesave ka filluar t’iu rikthehet pamja e vjetër, lagjja po bëhet një nga thesaret më atraktive të qytetit. Rori Braun, zyrtar i zhvillimit të projektit, thotë se faza e pastrimit të mbeturinave tashmë është lënë prapa. “Që nga viti 2006, ne kemi larguar afro 20 mijë metra kub mbeturina nga rrugët, oborret dhe vendet ku ishin shembur shtëpitë në Murad Khan. Në disa vende niveli i rrugës ka zbritur për dy metra”, thotë Braun. Plani i rindërtimit është pjesë e përpjekjeve 25 milionë dollarëshe të projektuesit “Turquoise Mountain” nga Kabuli dhe e dy personaliteteve të njohura britanike. I pari është Princi i Uelsit, i cili njihet mirë se nuk e pëlqen arkitekturën moderne, ndërsa tjetri është Rori Stjuart, themelues i kompanisë “Turquoise Mountain”. Ashtu si Princi Çarls, Stjuart e adhuron trashëgiminë kulturore dhe traditat artistike të Afganistanit. Në njërën nga ndërtesat e rinovuara, funksionon instituti i shkollës së qeramikës. Mësuesi dhe mjeshtri i saj është Abdul Matin, i cili diplomoi vitin e kaluar. Matin thotë se gjëja më e vështirë për ta zotëruar është t’i japësh qeramikës shkëlqimin e ngjyrave karakteristike, që janë e kaltra dhe e gjelbra. Shkëlqimi fitohet nga një bimë që rritet në Afganistanin verior, e quajtur ‘gaz’, dhe duhen kaluar shumë faza derisa të fitohen ngjyrat nga e verdha tek e gjelbra. “Aktualisht, ne nuk i djegim bimët vetë, por këtë e bëjnë njerëzit në provincën Balk kur i mbledhin. Ata pastaj u vënë zjarrin dhe e mbledhin qymyrin. Ne e blejmë qymyrin, e nxehim duke i shtuar disa produkte dhe pastaj një makinë e posaçme e bën pluhur. Kur ta fitojmë pluhurin, atëherë mund ta përdorim për shkëlqim”, thotë Matin. Shumë shkolla kanë nisur të japin mësime për artizanate në mbarë Afganistanin, megjithëse numri i nxënësve është i vogël. Megjithatë, kjo e rrit optimizmin në vendin, i cili ende përpëlitet nga problemet e kryengritjes dhe ato ekonomike. Optimizmi i tillë ndjehet shumë në lagjen e sapozgjuar Murad Khan.

KOMENTE