Tiranë, 13 Tetor 2010 NOA –Sabri Godo është përfaqësuesi i parë i mazhorancës që kërkon zgjedhje të parakohshme. Presidenti i Asamblesë së Partisë Republikane, Sabri Godo ka deklaruar sot se vetëm zgjedhje e parakohshme i japin fund situatës politike dhe tregut të deputetëve.
“Në momentin e tanishëm, kur erdhi puna që qeveria do të mbahet në këmbë me trafikun e deputetëve, që është një gjë e neveritshme dhe e errët në historinë e këtij vendi, kur të shkruhen gjërat më vonë do të duket shumë keq. Nëse kemi arritur në këtë pikë do thosha më gjithë zemër le të bëhen zgjedhjet e përgjithshme bashkë me zgjedhjet lokale”, u shpreh Godo.
Godo është shprehur se kjo do të thotë një dalje nga situata ku është futur vendi. Godo e ka cilësuar si të papranueshëm pazarin e deputetëve, duke theksuar se kjo është forma më e shëmtuar e politikës. Në një intervistë dhënë për televizionin “UTV” Gode është shprehur se zgjedhjet janë e keqja më e vogël.
“Unë nuk merrem me Ramën, kam mendimin tim për të dhe dikur kam thënë se është një njeri i frikshëm në mos i rrezikshëm dhe duhet ti ndalet rruga për të ardhur në pushtet. Berishës do i thosha që mund të rrezikosh çdo gjë, por mos prano të vij në derë ndonjë që kërkon një koçë dhe t’i i ndodhur ngushtë, ja jep. Qeni duhet lidhur në oborr. Përse duhen këta njerëz. Ky është fundi i botës”, ka thënë Godo në lidhje me kalimet e deputetëve nga njëri kamp në tjetrin.
a.k/NOA
Lexoni reagimin e Metes: Nuk ka zgjedhje te parakohshme