Në negociata të reja me Serbinë nuk mund të thuhet se kanë shkuar të mashtruarit. Eventualisht, d.m.th., në rastin më të mirë, do të mund të thuhet që kanë shkuar ata që deshën të mashtrohen
Nga Albin Kurti
Përpjekjet kundër pavarësisë së Kosovës Serbia i ka zhvilluar në dy fronte. Së pari, në rrafshin diplomatik, juridik e ndërkombëtar, duke e problematizuar statusin e Kosovës si një çështje ende të pazgjidhur e për të cilën nevojiten negociata shtesë. Dhe, së dyti, në rrafshin e sigurisë dhe atë territorial, duke problematizuar çështjet e brendshme të Kosovës përmes strukturave të saj në Kosovë. Duket që pas mendimit këshillues të GjND-së do të qetësohet ca fronti i parë e do të intensifikohet ky i dyti. Nga fronti i parë do të mbetet forma e kërkesës (pra, negociata të reja), kurse fronti i dytë do të jetë përmbajtja e obstruksioneve të Serbisë. Nga problematizimi i statusit të Kosovës po kalohet te problematizimi i statusit të serbëve, përkatësisht i vendbanimeve ku ata janë shumicë. Nëse deri më tani Serbisë i duheshin kundërvënë Ministria e Punëve të Jashtme dhe Ministria e Punëve të Brendshme të Kosovës, tash e tutje më shumë punë do të ketë për të dytën sesa për të parën. Serbia është e diktuara që dikton. Serbia e diktuar nga mendimi i GjND-së, po i dikton këto negociata të reja. Qeveria e Kosovës me pasivitetin e saj, me relaksimin e saj pas mendimit të GjND-së, po e mundëson këtë gjë. Shahistët e mirë e dinë që lojën e shahut mund ta humbësh edhe atëherë kur s’duket që ke gabuar dikund. Thjesht, vetëm pse ke bërë lojë pasive e humbet lojën. Ndoshta ka diçka prej fitoreje në vetë sulmin. Mendimi i GjND-së ishte shans që Kosova të sulmojë. Por, Qeveria e Kosovës nuk besonte që ky mendim i GjND-së do të ishte kaq i mirë. Ajo u gëzua shumë mandej dhe, natyrisht, u relaksua së tepërmi. E gëzuar ashtu siç gëzohet spektatori mosbesues, në vend se ta përdorte mendimin e GjND-së kundër negociatave me Serbinë, Qeveria e Kosovës po e bën të kundërtën: po ndjehet komode karshi qytetarëve e vetvetes dhe borxhli ndaj ndërkombëtarëve. Ajo me lehtësi po rrëshqet drejt pranimit të negociatave të reja me Serbinë. Dukuria e JO-ve të buta dhe gjithnjë e më të buta para PO-së përfundimtare po rishfaqet. Edhe rritja e numrit të njohjeve, si temë e preferuar e Qeverisë, po ngec përkundër përparësisë së krijuar. Shumë shtete të reja do të duhej ta njihnin pavarësinë e Kosovës tash pas mendimit këshillues të GjND-së. Por, paralajmërimet për negociatat e reja ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sigurisht që po ndikojnë negativisht. Nga vetë sjellja e Qeverisë së Kosovës ato shtete po inkurajohen për hezitim të ri. Kur Qeveria e Kosovës nuk e shfrytëzon mendimin e GjND-së dhe nuk i refuzon parimisht e kategorikisht negociatat e reja me Serbinë, nuk është e çuditshme pse po e vazhdojnë ngurrimin e tyre shtetet që deri më tani nuk e njohën pavarësinë e Kosovës. Ndonëse, duhet pranuar që këtu kanë rol edhe ShBA-të. Duke qenë përkrahëset më të mëdha të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, pikërisht nëse mendimi i GjND-së do të ishte negativ për Kosovën, ShBA-të do të ndjeheshin të detyruara që ta detyrojnë ndonjë shtet të ri të na njohë. Kujtoni p.sh., njohjet e Malit të Zi e Maqedonisë që ndodhën në të njëjtën ditë dhe menjëherë pasi që Asambleja e Përgjithshme e OKB-së e aprovoi kërkesën e Serbisë që çështjen e shpalljes së pavarësisë së Kosovës ta trajtojë GjND-ja. ShBA-të e bënë atëbotë këtë për ta balancuar OKB-në që kishte shprehur mirëkuptim për kërkesën e Serbisë. Të gjithë e dimë se pa ndikimin e ShBA-ve Maqedonia e Mali i Zi nuk do ta njihnin pavarësinë e Kosovës. Tash, pasi që mendimi i GjND-së ishte negativ për Serbinë, ShBA-të janë po ashtu disi të relaksuara dhe nuk e cytin ndonjë shtet të ri që të na njohë. Fundja, shumica dërrmuese e njohjeve të pavarësisë së Kosovës dihet që nuk erdhën nga lobimi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, por nga influenca e ShBA-ve dhe disa shteteve të tjera të fuqishme në ato shtete që na njohën. Kosovën nuk po e thërrasin në negociata të reja për t’i dhënë, por për t’i marrë asaj. E, megjithatë, ajo nuk shkon dot atje pa ndonjë premtim a shpresë që do të mund të marrë diçka. Është e qartë që nuk arritën t’i shesin negociatat e reja me Serbinë si negociata për çështje teknike dhe as zëvendësimi i kujdesshëm i fjalës ‘negociata’ me fjalën ‘bisedime’ nuk i bëri kujt përshtypje. Gjithashtu edhe teza e shkëmbimit territorial pak e ngapak u demaskua si e njëanshme: territori në veri të Ibrit kundrejt maksimalisht vetëm Preshevës dhe atë pa fshatrat në anën tjetër të magjistrales A-10. Atëherë, cili do të jetë ambalazhi i ri për negociatat e reja? Me çfarë do të përpiqen t’ua shesin qytetarëve negociatat e reja? Duket që ulësja e Kosovës në OKB do të jetë karota e radhës për Kosovën. Prandaj edhe ajo kërkesa idiotike e Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e Rezolutës 1244 menjëherë pasi që kjo rezolutë kishte përjetuar një interpretim ndërkombëtar liberal në favor të Kosovës. Qeveritarët me gjasë do të shkojnë në negociata që të japin autonomi territoriale për serbët në këmbim të anëtarësimit të Kosovës në OKB; pra, të japin territor për të marrë ulëse. Zaten, qeveritarët do ta bëjnë atë që na e kanë dëshmuar që dinë ta bëjnë më së miri. Do të japin territor e resurse (të Kosovës) për ulëse (të Kosovës në OKB, ku do ta ulin ndonjërin prej klanit të tyre). Kësisoj, çmimi i ngjitjes lart do të jetë zvogëlimi i dheut nën këmbë. Në negociata të reja me Serbinë nuk mund të thuhet se kanë shkuar të mashtruarit. Eventualisht, d.m.th., në rastin më të mirë, do të mund të thuhet që kanë shkuar ata që deshën të mashtrohen.