English

Takon Klintonin, Tadiç flet veç serbisht me përkthyes

Beograd, 13 tetor, NOA – Një takim i ngrohtë, edhe pse ndajnë qëndrime të kundërta për Kosovën e në mes ... një përkthyes.

Kjo ka qenë klima ë ka shoqëruar takimin e djeshëm zhvilluar në Beograd mes sekretares amerikane të Shtetit, Hillari Klinton dhe presidentit të Serbisë, Boris Tadiç, duke u theksuar fakti se Serbia duhet të nisë sa më shpejt bisedimet e pajtimit me Kosovën.

Nga ana e tij, mësohet se Tadiç është shprehur para Klintonit se qeveria e tij është e hapur për bisedime të gjithanëshme me autoritetet e Prishtinës, por nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

"Dialogu duhet të fillojë shpejt. Ne duam të diskutojmë të gjitha çështjet që kanë të bëjnë me jetën e përditëshme të popullit të Kosovës, në mënyrë paqësore, demokratike, duke përdorur mjetet politike dhe ligjore për të mbrojtur integritetin e vendit tonë. E kam thënë edhe më parë se çdo veprim i njëanshëm i institucioneve shqiptare në Kosovë e vë Serbinë në pozitë të vështirë, Serbinë dhe qeverinë e Serbisë. Ai nuk i shërben dialogut”, tha Tadiç.

Ndërsa Klinton e vlerësoi qendrimin përgjithësisht të moderuar të qeverisë së Beogradit, duke e cilësuar Serbinë një kandidate të shkëlqyer për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. "Ne besojmë se rezolutat e 9 shtatorit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara shërbejnë si një platformë e mirë për një dialog të mirëfilltë dhe largpamës mes Beogradit dhe Prishtinës. Nga dialogu mund të përfitojnë dhe do të përfitojnë si populli i Kosovës, ashtu edhe ai i Serbisë, duke trajtuar çështjet e përditëshme praktike dhe marrëdhëniet afatgjata mes dy vendeve”, tha Klinton.

Ndërsa ditën e sotme, turi i Klintonit vijon në Kosovë, ku ajo gjithashtu pritet të debatojë me autoritetet vendase për bisedimet e ardhshme të paralajmëruara ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e saj vlerësohet shumë e rëndësishme për shkak të rolit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në të gjitha proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova.

n.e/NOA

KOMENTE