English

Të gjithë bëjnë si amerikanë

Në fund del se asgjë që bëhet nuk është për shqiptarët, as për Shqipërinë, po për të huajt që zakonisht janë “të shqetësuar” për ne më shumë sesa ne për veten

Nga Ylli Manjani

Një copë letër publike që doli nga zyrat e Ambasadës Amerikane në Tiranë, ku bëhej thirrje për miratimin e ligjit për Gjykatën Administrative, angazhoi shumë personazhe dhe grupime politike shqiptare në një seri deklaratash publike. Të gjithë deklaruesit u shfaqën të shqetësuar për “shqetësimin” e amerikanëve dhe në emër të tyre (amerikanëve) akuzuan njëri-tjetrin për të gjitha të palarat që bëjnë si shqiptarë. Fillimisht foli Gramoz Ruçi, i ngarkuar nga Partia Socialiste tash në pleqëri të mbulojë marrëdhëniet me amerikanët. Gjuha që përdori dukej si e përkthyer nga anglishtja (krejt e pazakontë për Ruçin). Në përgjigje të tij, duke ruajtur protokollin e replikës, foli Patozi i Partisë Demokratike me po të njëjtën shqipe të përkthyer. Ndërkohë, gazetat u ndanë sipas përkatësisë, ku një pjesë e cituan deklaratën e ambasadës si kërcënim për PS’në dhe pjesa tjetër si kambanë për PD’në. Në vijim u përforcua ideja publike se PS’ja e ka pisk punën me amerikanët dhe se këta të fundit do na marrkan hak kundër kësaj partie. Se si do shprehet “hakmarrja” askush nuk e di, por na qenka e sigurt se një gjëmë e madhe pritet t’i ndodhë kësaj partie, që nuk voton Ligjin për Gjykatën Administrative shqiptare me urdhër të Ambasadës Amerikane. Me këtë rast, Qeveria nxiton ta përforcojë këtë tezë (të palogjikshme sigurisht) me synim të fshijë nga memoria e njerëzve në Shqipëri përplasjet që pati vetë me Ambasadën Amerikane gjatë tri viteve të fundit. Lloj-lloj teorish e deklaratash shpiken e sajohen, por të gjitha dalin nën shqetësimin e Ambasadës Amerikane për punët që nuk ecin në Shqipëri. Ky është kulmi i budallallëkut. Është me vend të kujtojmë të gjithë teoricienët që bëjnë si amerikanë, se Sali Berishës që i kundërshtoi amerikanët sa herë i desh qejfi në këto 20 vjet, nuk i hyri gjemb në këmbë. Pa i hyrë fare të shkuarës, vetëm dy a tre muaj më parë, Ambasada Amerikane reagoi për ligjin e SHISH dhe Qeveria s’e pyeti fare. U desh ardhja e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO’s (thonë me një kërcënim goxha të madh) që ndalonte ajo nismë, me thënë të drejtën aspak në kundërshtim me parimet e NATO’s. Në kishte ndonjë gjë për të bërë Amerika ishte largimi i Berishës nga pushteti në Shqipëri, por nuk e bëri, sepse nuk e bën dot (ata s’e hoqën dot Enverin). E kur nuk u heqka Qeveria, nuk besoj se amerikanët do heqin opozitën. Por, le t’i lëmë për një moment ata që bëjnë si amerikanë në politikën tonë. Në mënyrë të përsëritur dhe me ton patetik bëri goxha thirrje edhe Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, i cili konstatoi se shqetësimi i vetë amerikanëve ishte real. Madje, Nënkryetari i drejtësisë sonë nuk ngurroi të thoshte se gjykatat që ai “qeveris” nuk funksionojnë dhe se për këtë ua paska fajin politika, veçanërisht opozita. Natyrisht, nuk e përjashtoj aspak fajin e politikës, madje edhe të vetë opozitës, por nuk mund të pranoj që drejtuesi i një institucioni përgjegjës të shpallë kapitullimin e institucionit të tij për shkak se nuk është në gjendje ta drejtojë ashtu siç duhet. Se me thënë të drejtën, ligji shqiptar i derisotëm nuk e ka lënë vendin pa gjykata administrative. Seksionet administrative duhet të funksionojnë në çdo gjykatë të shkallës së parë e madje deri në Gjykatën e Lartë. Sipas logjikës më të thjeshtë të mundshme, nëse këto seksione nuk funksionojnë, siç thotë Nënkryetari i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, dikush duhet të mbajë përgjegjësi. Po sipas të njëjtës logjikë, njëri prej përgjegjësve është edhe KLD’ja që drejton në mënyrë të përditshme nënkryetari (Kryetari në mënyrë të përditshme është Presidenti i Republikës). Rendja për të bërë zëdhënien e ambasadave të huaja tregon në fakt se sa joserioz është shteti ynë. Çdo gjë që ky shtet bën e justifikon me faktin se këtë “na e kërkon Amerika”, këtë tjetrën Europa, një gjë tjetër na duhet për vizat (më në fund na i hoqën) e ndonjë tjetër për NATO’n. Në fund del se asgjë që bëhet nuk është për shqiptarët, as për Shqipërinë, po për të huajt që zakonisht janë “të shqetësuar” për ne më shumë sesa ne për veten. Edhe kur bëjmë ndonjë reformë apo ligj që nuk na kërkohet, gjithmonë shitet si përvojë e marrë nga ndonjë vend tjetër, zakonisht nga Amerika ose Anglia (gjithnjë e më rrallë nga Europa). Kjo është arsyeja se përse ligjet e këtij vendi nuk arrijnë të trupëzohen me realitetin dhe as të kodifikohen me njëri-tjetrin. Modelet e ndryshme nga ku janë marrë ligje të ndryshme të miratuara e bëjnë substancialisht të vështirë përpjekjen kodifikuese të ligjeve, koncepteve dhe terminologjisë së përdorur. Është bërë modë shfaqja publike e çdokujt që mundet, me gjeste e veprime amerikane. Partitë politike p.sh. marrin kompani nga amerikane për të mësuar se si flitet amerikanisht me çdo shtetas tjetër joamerikan. Shumë prej folësve publikë, që drejtojnë institucionet publike ose jo, nuk ngurrojnë të bëjnë edhe ekzibicion me zanoren “Aaaaaaa” të ekzekutuar me gojën gjysmë të hapur, në përpjekje për t’i dhënë më shumë besim rrenës së radhës që gatuan truri në gjuhën shqipe. Është qesharake, shpeshherë e shpifur, të dëgjosh gra e burra që dalin në televizor për të rrejtur, apo për të thënë një të vërtetë, për të cilat gjejnë mbështetje tek imitacione të shëmtuara gjestesh që vijnë nga amerikanishtja moderne (nuk ka lidhje me gjuhën angleze). Ç’është më e keqja, pas këtyre gjestikulacioneve mediatike, po tentohet të fshihet mungesa e përgjegjësisë për detyrat publike të marra përsipër. Është bërë ves në praktikën administrative që sa herë dështohet të përmbushet një detyrë, ose sa herë ndryshohet drejtimi i institucioneve ndryshohet ligji ose hidhet ideja për ndryshimin e tij. Nuk do të ishte ves i kritikueshëm nëse ndryshimi bëhet e studiuar dhe bëhet për të përmirësuar ndonjë gjë. Por në të shumtën e rasteve zyrtarët tanë, që flasin si amerikanë, kërkojnë të ndryshojnë ligjet e fushës ku kryejnë detyrat, sepse kjo është punë më e lehtë për t’u bërë dhe se është një alibi interesante për të fshehur dështimet personale. Kur ky ves financohet edhe nga ndonjë projekt i ndihmës së huaj, qartësisht drejtuesit e paaftë të institucioneve tona kthehen në zëdhënës të ndihmës së huaj dhe nuk dinë t’i vënë fre arsyetimit pa logjikë kundër çdo gjëje që ka të bëjë me punën e përditshme të tyren. Nuk do të isha aspak kundër futjes në realitetin tonë politik e shtetëror të një kulture amerikane. Nuk kemi asnjë arsye të jemi kundër kulturës shtetërore amerikane dhe perëndimore në tërësi. Të bërit si amerikan për të justifikuar budallallëqet e jetës shqiptare është një realitet grotesk. Të paktën një gjë të mirë e ka kjo gjë, sepse na bën të qeshim.

KOMENTE