Prishtinë, 13 tetor, NOA - Mbrëmë, në orët e vona, të rinjtë e Lëvizjes për Bashkim, së bashku me Tifozat Kuq e Zi dhe me ndihmën e anëtarëve të Lëvizjes Vetëvendosje! kanë ndërmarrë aksion për rivendosjen e flamurit kombëtar në Prishtinë.
“Të revoltuar nga veprimi antikombëtar i qeveritarëve të Kosovës, të cilët i hoqën flamujt kombëtarë nga sheshet e Prishtinës, ne ndërmorëm aksionin për vendosjen e tyre”, thuhet në një deklaratë të Lëvizjes për Bashkim në Kosovë.
Flamuri kuqezi shqiptar, i cili ishte vendosur pranë flamujve shtetërorë të Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, është hequr dje gjatë orëve të pasdites nga rrugët e Prishtinës.
Ai në fakt ishte vendosur nëpër të gjitha rrugët kryesore të kryeqytetit kosovar, me rastin e mbërritjes atje të Sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Klinton.
Protokolli për vizitën e sekretares amerikane po bëhet nga ambasada amerikane dhe mediat kanë komentuar se pikërisht, ajo mund të ketë ndikuar për një akt të tillë, pasi mbajtja e flamurit të një shteti fqinj, nuk është e preferueshme.
n.e/NOA