Presidenti Topi viziton shkollën jopublike “Flatrat e Dijes” në Fier
Fier, 13 Tetor 2010 NOA - Gjatë qëndrimi të tij në qytetin e Fierit, Presidenti i Republikës, Prof. Dr. Bamir Topi, i shoqëruar nga anëtarë të Kabinetit dhe përfaqësues të pushtetit vendor vizitoi shkollën jopublike “Flatrat e Dijes”, ku u mirëprit nga Viron Gega, themelues i kësaj shkolle, Drejtoresha e Shkollës, Donika Jorgaqi, mësues, nxënës dhe prindër.
Pas një takimi dhe bisede të përzemërt me ta, Presidenti Topi vizitoi një ekspozitë me punime nga nxënësit e shkollës, ambientet sportive, sallën e baletit dhe kabinetin e gjuhëve të huaja të saj.
Një moment emocionues i kësaj vizite ishte përurimi nga Kryetari i Shtetit i një teknologjie të re – vënien në funksionim të 40 tabelave ndërvepruese multimediale (TIM) në shkollën “Flatra e Dijes”, – një institucion arsimor modern me rreth një mijë nxënës dhe me 75 mësues dhe edukatorë, që sapo festoi dhjetëvjetorin e krijimit të vet.
Në fjalën përshëndetëse, Topi theksoi se duke e vizituar këtë shkollë, pikërisht në dhjetëvjetorin e themelimit të saj, duke parë këtë super teknologji, e cila inaugurohet, promovohet për herë të parë në eksperiencën shqiptare, një nga ato pak eksperienca që e shikojmë edhe në rajonin tonë, një nga ato eksperienca të reja që e shikojmë dhe në kontinentin tonë, tregojnë që Shqipëria, sidomos ju nxënës, brezi i ri jeni jo vetëm me fat që keni lindur në këtë periudhë, por jeni me fat, sepse tek ju po investohet fuqishëm, në radhë të parë nga prindërit tuaj, por edhe nga institucionet, nga shoqëria dhe nga biznesi. “Ky është një rast elokuent, një rast i artë për ta demonstruar se sa bukur bashkëpunojnë institucionet, biznesi, shoqëria dhe familja. Dhe ky është një element që duhet të promovohet në të gjitha shkollat e Shqipërisë për të demonstruar që edukimi është elementi bazal që duhet të garantojë të ardhmen e shoqërisë shqiptare”, - tha Topi.
Presidenti tha se aplikimi për herë të parë i tabelave interaktive, apo ndërvepruese multimediale është një teknologji për të cilën edhe ata që kanë pasur eksperienca pedagogjike, ndoshta nuk kanë informacionin e duhur.
“Kjo do të thotë që koha sot ka ofruar shumë mundësi për ju të dashur fëmijë që të mësoni në mënyrë më të kualifikuar, në mënyrë më argëtuese, jo bezdisëse. Ju nuk jeni më të influencuar nga kualitetet e ndryshme të pedagogëve, sepse këto shkolla, të cilat janë mbi bazën e një metodologjie të kualifikuar të politikave arsimore në Shqipëri, vijnë përmes një teknologjie, e cila do të ishte patjetër në shërbim ë dijeve tuaja, të së ardhmes tuaj”.
“Fakti që nga kjo shkollë, - vijoi Topi, - mbi bazën e të gjithë informacioneve që kam, kanë dalë nxënës të cilët janë shumë kompetitivë në shkolla private, apo publike, qoftë në universitete shqiptare, por edhe ato të huaja tregojnë që kjo shkollë mbi të gjitha ka vendosur me shumë seriozitet kualitetin mbi sasinë”.
Në përfundim të vizitës së tij në Fier, Presidenti Topi vizitoi dhe qendrën arkeologjike të Apolonisë, ku u prit nga Drejtori i Muzeut, Marin Haxhimihali dhe specialistë të tjerë të tij, të cilët i prezantuan Kryetarit të Shtetit projektin për rehabilitimin e Muzeut Arkeologjik.
xh.b/e.r/NOA