English

Vodhën 12 kompjutera, 2 printera e 1 video-projektor të shkollës, kapen 3 të rinj

Krujë, 13 tetor, NOA – Forcat e policisë së Krujës kanë mundur të identifikojnë dhe më pas ndalojnë, tre persona të cilët në bazë të hetimeve të kryera rezultoi se kishin kryer dy herë vjedhjen e pajisjeve kompjuterike të shkollës 9-vjeçare në Fushë-Krujë.

Ngjarja e konfirmuar prej tyre për agjencinë e Lajmeve NOA, tregon sesi të ndaluarit janë Serxhio Noka, 18-vjeç; ai me inicialet N.K., 16-vjeç dhe M.F., 17 vjeç; që të tre të lindur dhe banues në Fushë-Krujë.

Ndalimi i tyre u bë per arsye se në datën 27 shtator, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, ata kanë vjedhur me thyerje shkollën 9-vjeçare të Fushë-Krujes, ku kanë marrë 6 kompjutera, së bashku me aksesorët e tyre; 2 printera dhe një video-projektor.

Po kështu, në vijim të punës hetimore u arrit të dokumentohet edhe një tjetër vjedhje e kryer prej tyre.

Kështu, në datën 5 tetor, këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet të kenë vjedhur sërish në shkollën 9-vjeçare të Fushë-Krujës edhe 6 kompjutera të tjerë; vjedhje për të cilën u arrit të gjendet e sekuestrohet në cilësinë e provës materiale një nga kompjuterat e vjedhur dhe vazhdon puna për gjetjen e pajisjeve të tjera, të cilat rezulton t’i jenë shitur personave, banore të rretheve të tjera.

Për të dyja këto ngjarje, prokuroria e Krujës kishte filluar procedimin penal në kohën e ndodhjes së tyre, ndërsa materialet proceduriale iu kaluan prokurorisë së Krujës për veprën penale të vjedhjes në bashkëpunim.

n.e/NOA

KOMENTE