Kavajë, 14 Tetor 2010 NOA – Një taksist është qëlluar me armë dhe është gjetur i vdekur pasditen e sotme në një rrugë dytësore pranë qytetit të Kavajës, raporton korrespondentja e agjencisë NOA.
Viktima është gjetur i vdekur pasi kishte marrë një plumb në kokë, në një nga rrugët pranë qytetit, konfirmoi për NOA, një burim zyrtar policor.
Dyshimet janë për shtetasin 49-vjeçar Urim Begu, banues në Tiranë, tek rruga “Irfan Tomini”, me profesion taksist, i denoncuar si i zhdukur disa orë më parë nga familjarët e tij.
Konfirmohet se sot paradite në ora 10.00, djali i Urim Begut ka denoncuar se i ati nuk gjendej prej disa orësh dhe telefonin celular e kishte të fikur. I biri i Begut tregoi se i ati punonte prej kohësh taksist në zonën e ish-Bllokut.
Disa orë pas denoncimit për zhdukje, Urim Begu u gjet i vdekur pasi ishte vrarë me plumb në kokë dhe ishte lënë në një rrugë dytësore të Kavajës tek vendi i quajtur "Kryqëzimi i Dautajve" pranë autoveturës së tij taksi me targa TR 217 C.
Policia ndodhet në vendngjarje dhe po përpiqet të zbardhë rrethanat e vdekjes së viktimës dhe autorët e krimit. Policia po hedh dyshime se vrasja e Urim Begut mund te kete lidhje me vrasjen e ndodhur ne Lushnje diten e sotme.
e.r/NOA