Prishtinë, 14 tetor, NOA – Kuvendi i Kosovës ka miratuar me 47 vota pro, 2 kundër dhe 1 abstenim, strategjinë për privatizimin e Postë-Telekomunikacionit.
Ndërsa grupet parlamentare kanë kërkuar që të largohet pika e rendit të ditës për miratimin e strategjisë për këtë privatizim, kryeministri Hashim Thaçi, ka këmbëngulur që kjo pikë të hidhet në votim gjatë seancës së sotme plenare të Kuvendit kosovar.
Edhe pse deputetët e opozitës kanë dalë nga salla e Kuvendit në shenjë bojkoti për moslejimin e privatizimit të Postë-Telekomunikacionit të Kosovës, kanë mjaftuar votat e deputetëve të Partisë Demokratike dhe minoriteteve për ta ligjëruar atë.
Ndërkaq, opozita dhe njëra ndër partitë që është në pushtet, Lidhja Demokratike e Kosovës, ka vlerësuar se kjo mënyrë nuk konsiderohet votim dhe si e tillë duhet të anulohet.
n.e/NOA