Uashington, 14 tetor, NOA – Forcat ushtarake të aleatëve do të qëndrojnë në Afganistan edhe një vit më shumë nga parashikimi i deritanishëm.
Ky ka qenë vendimi më i fundit i ndërmarrë nga Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara, i votuar unanimisht nga anëtarët e tij, për zgjatjen edhe për një vit të mandatit të ushtarëve NATO për të mbrojtur Afganistanin.
Të 15 shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit e votuan njëzëri zgjatjen e mandatit të forcave të armatosura aleate, duke mos treguar asnjë kundërshti për këtë.
Rezoluta e Këshillit të Sigurimit thekson nevojën e përpjekjeve të qëndrueshme nga Forca Ndihmëse Ndërkombëtare e Sigurisë, me 143 mijë ushtarë, për ta ndihmuar qeverinë e Afganistanit në përmirësimin e sigurisë.
Ndërkaq, forumi i lartë i Kombeve të Bashkuara, shprehu në të njëjtën kohë shqetësim edhe për përkeqësimin e situatës në Hindukush.
n.e/NOA