English

Shqiptarët nuk janë naivë

Besoj se shqiptarët nuk janë naivë të mos kuptojnë se kur qeveria flet gjatë dhe pa pushim në prezantimin e buxhetit 2009, nuk e bënë këtë për të prezantuar sukseset, sepse ato flasin vetë, por për të fshehur dështimet e saj

Nga Arben Malaj

Po ndalem në disa analiza dhe shifra për rrisqet dhe sfidat që ka vendi në menaxhimin e financave publike.

Fshehja e rritjes së deficitit, borxhit publik dhe sidomos e rritjes së kostove të tyre, karakterizojnë edhe buxhetin e vitit 2009.

Shqetësimi bëhet akoma me i madh sepse për disa vjet rresht ka rënë rritja e të ardhurave reale, ndërsa rritja e deficitit, borxhit dhe kostos së tyre po bëhet me shqetësues.

Nga analiza e KLSH për rënien e ndjeshme të të ardhurave reale buxhetore ne vitin 2009 krahasuar me vitin 2008, konkluzioni i tyre se gjatë vitit 2009 investimet publike u keqpërdorën për qëllime elektorale, risku që këtë fat do të kenë edhe investimet e vitit 2010 e 2011, duhet të na shqetësojë të gjithëve për këtë keqqeverisje.

Perse realisht situata është përkeqësuar dhe pse rrisqet dhe kostot për menaxhimin e financave publike mund të bëhen më të vështira?

E para, asnjë nuk e di se sa është borxhi publik i vendit. Kryeministri nuk ndjen asnjë përgjegjësi për shifrat që shet në publik, ndërsa ministrat vetëm lodhen për të justifikuar publikisht papërgjegjshmërinë e tij duke u bërë edhe vetë të papërgjegjshëm ndaj mandatit qeverisës.

Shifrës zyrtare të borxhit të vitit 2009 i mungojnë rreth 60 milion $ që janë mospagesa të qeverise ndaj firmave private që kryen investime elektorale.

Papërgjegjshmëria e mospagesave nuk ishte vetëm fshehja e deficitit, por falimentimi i disa prej firmave private.

Kreditë e këqija në banka u rritën, ndërsa bankat vështirësuan dhënien e kredisë dhe rriten koston e saj.

Borxhi ynë publik i 2009-ës është më i madh se 60% e PBB, sepse qeveria bllokoi rimbursimin e TVSH, rriti abuzivitetin me taksat dhe tatimet, duke rritur realisht pjesën e fshehtë të deficitit, vazhdon të mos respektoje vendimin e Gjykatës Kushtetuese për ish ushtarakët. Kjo shifër sa vjen dhe rritet edhe sepse një detyrim kushtetues sa më shumë vonohet aq më i rëndë mund të behet për buxhetin.

Borxhi ynë publik është më i madh se 60% e PBB sepse Qeveria vazhdon të mos kompensojë ish pronarët, duke e mbartur këtë kosto për më vonë. Sa me shumë qeveria jep sipërfaqe toke për koncesione korruptive, aq më e madhe behet fatura financiare që do të paguajë buxheti, aq me shume taksa do të paguajnë shqiptarët në të ardhmen.

Borxhi po rritet sepse po rriten vendimet e Gjykatës se Strasburgut për shkelje të së drejtës së pronave e të drejtave të njeriut nga ana e qeverisë.

Arsyeja tjetër pse borxhi shqiptar është më i lartë se ai që pasqyron qeveria është se po rriten detyrimet e prapambetura të ish të përndjekurve politikë, për të cilët qeveria miratoi një ligj pa fature financiare dhe premtoi ta paguante brenda 8 viteve. Detyrimet e papaguara ndaj tyre në vitin 2009 dhe 2010 janë borxhe të fshehura të qeverisë.

Momenti i dytë që dëshiroj të ndaj me taksapaguesit shqiptare, është rritja me ritme të shpejta e borxhit publik dhe kostos se tij.

Sipas shifrave zyrtare të qeverisë dhe FMN, borxhi publik në vitin 2013 do të jetë 2.2 here më i madh se borxhi publik i vitit 2005. Sipas përllogaritjeve të FMN-se, nga 4.7 miliard dollarë në vitin 2005, ai rrezikon që në vitin 2013 të arrijë në 10 miliard dollarë. Vetëm gjatë kësaj periudhe ju do ta rrisni borxhin publik me 5.5 mild $.

Nëse në vitin 2005 borxhi publik i Shqipërisë ishte rreth 1462 dollarë për frymë, ne vitin 2009 ishte 2150 dollarë dhe në vitin 2013 me këto ritme do të shkojë rreth 3165 dollarë për frymë.

Jo vetëm qe borxhi është rritur, por edhe kostoja e tij po bëhet më e rëndë.

Nëse në vitin 2005 interesat e borxhit ishin vetëm 265 milion dollarë, në vitin 2009 ato janë 363 milion dollarë dhe në vitin 2013 rrezikojnë të mbërrijnë në 578 milion dollarë me një rritje prej 218%.

Pra gjatë qeverisjes suaj, shqiptaret do të paguajnë një borxh në rritje prej rreth 5.5 miliard dollarë dhe një kosto borxhi të rritur me 313 milion dollarë.

Shumë shpejt rrezikohemi që totali i interesave të borxhit të jetë i barabartë me totalin e investimeve publike të vendit, kjo është shumë shqetësuese.

Herë pas here kërkoni të bëni debat partiak rreth vizionit tuaj për borxhin, debate të cilët janë sa sipërfaqësore, aq edhe jo profesionale. Këto deklarata mbartin edhe kontradikta të mëdha të logjikes ekonomike.

Asnjë qeveri, sado e djathtë të jetë në programin e saj, nuk toleron rritjen e shpejte dhe me kosto të rëndë të borxhit.

Këto qeveri vendosen kufijtë për shkallën dhe kohën e ndërhyrjes në ekonomi jo më shumë se 2% e GDP dhe kthim sa më parë në përgjegjësitë e reduktimit të borxhit dhe kostos së tij.

Shqetësimi është jo vetëm për nivelin e borxhit, por sidomos për koston e tij. Ka vende që për shkak të produktivitetit dhe efikasitetit të ekonomive të tyre, e financojnë borxhin me kosto gati zero. Japonia ka një borxh që shkon deri edhe 300% e GDP, SHBA ka borxh në rritje por e financojnë ekonominë e tyre me kosto të ulët, gati zero. Kostoja e borxhit të Greqisë ishte shumë më rëndë se mesatarja e eurozones, ndaj alarmoi gjithë institucionet për riskun e falimentimit të saj.

Ju e provuat dhe dështuat të gjenit financim ndërkombëtar me kosto të arsyeshme.

Ju e dini që në tregjet ndërkombëtare ka likuiditete. Ndërsa klasifikimi që ju bë ekonomisë shqiptare për të marrë hua nga këto tregje, ishte shumë i ulet, çka do të thotë që kostoja e borxhit do të jetë e lartë.

Ju, dy here rresht, miratuat me ligj nivele të me larta të kostos se huamarrjes, për të joshur kreditoret dhe përsëri dështuat.

Ekonomia ka nevojë për financime të huaja, por jo për borxhe me interesa 12-15% në euro siç vepruat ju në vitin 2008, kosto e rëndë që ekonomia jonë po e paguan me rritjen e interesave të borxhit duke filluar që nga viti 2009.

Analiza e tretë që dua të ndaj me taksapaguesit është efikasiteti dhe cilësia e investimeve publike.

KLSH provon se në vitin 2009 qeveria ka keqpërdorur politikisht investimet publike, duke keqpërdorur politikisht borxhin e marrë.

Shqiptarët do të paguajnë borxhe më të mëdha dhe më të rënda sepse qeveria juaj për interesa populiste dhe korruptive, nuk ndjen asnjë përgjegjësi për përzgjedhjen e investimeve publike.

Ndoshta viti 2009 ishte dhe viti i fundit ku një pjesë e vështirësive të financimit në ekonomi u zbutën nga përdorimi i të ardhurave nga privatizimi në rreth 270 milion dollarë.

Kjo mundësi sa vjen dhe tkurret, ndërsa papërgjegjshmëria juaj për të marrë borxh me çdo interes, mjafton që të krijoni idenë e investimeve pa fund, sa vjen dhe rritet.

Investimet publike janë të copëzuara, kostot e tyre kanë brenda një "komision" të lartë të korrupsionit të përzgjedhjes së fituesve.

Disa projekte të rëndësishme në ekonomi zvarriten pa fund. Qeveria inauguron me shumë pompozitet edhe investime të vogla, thjesht që çdo ditë të jetë në media.

Keqpërdorimi i parave publike për publicitet qeveritar po rritet nga dita në ditë.

Po ju jap dy shembuj ku realiteti shqiptar për investimet publike është krejt ndryshe nga propaganda juaj mediatike.

Rruga Levan-Vlore, u inaugurua nga ju me shumë pompozitet në prag të zgjedhjeve vendore 2007. Ajo është jo me shumë se 30 km.

Keni katër vjet dhe nuk po e mbroni dot. Sikur të punohej 250 dite çdo vit, do të duheshin 1000 ditë pune për 30 km. Ju nuk keni bërë dot as 30 metra rrugë në ditë. Dhe kjo ndodh jo se nuk ka kompani shumë kredibël për rrugët, jo se nuk ka teknologji moderne për ndërtimin e infrastrukturës, por sepse në qeverinë tuaj ka korrupsion pa fund.

Po kështu rruga Fier-Tepelene e cila është jo më shumë se 70 km, ka afërsisht të njëjtin fat. E vonuat për ta filluar, çoroditet donatorët me fantazinë tuaj spontane nga duhet të kalojë rruga, dhe tani jeni duke ecur si breshka dhe duke e zvarritur pa fund këtë investim të rëndësishëm publik.

Keni vite që zvarrisni bypass-in e Fierit, i cili nëse vonohet akoma, do të bëjë të efektshme investimet në aksin jugor të vendit, duke rritur vonesat dhe bllokimit e tejzgjatura ne këtë aks shumë të rëndësishëm.

Deklaroni me krenari tunelin e Qafë Krrabës, nuk jam xheloz, bile dëshiroj të shikoj sa më shumë investime dhe në çdo pjesë të vendit, nga Veriu ene Jug, por po zvarrisni pa fund mbështetjen për bypass-in e Vlorës, qytetit me potenciale turistike të jashtëzakonshme, por me infrastrukture rrugore jashtëzakonisht të rënduar.

Lidhur me deficitin, borxhin dhe koston e tij nuk po debatojmë për presjet dhjetore, por për papërgjegjshmërinë në rritje në qëndrueshmërinë e financave publike të vendit tonë.

Rritja e tyre dëmton rëndë rritjen ekonomike të vendit. Ajo që ndodhi në fillim të vitit 2010 për shkak të dështimeve tuaja në vitin 2009, detyrimi për të ulur menjëherë buxhetin e miratuar me bujë nga ana juaj, shkurtimi drastik i shpenzimeve në arsim dhe shëndetësi, janë shembujt konkrete se kush i paguan papërgjegjshmëritë e qeverisë në menaxhimin e financave publike.

Sa më shumë rrisni borxhin e vendit, që deri në vitin 2013 mund të jetë 68-70% PBB-së, sa më shumë rrisni koston e këtij borxhi, që deri në vitin 2013 mund rritet 70% në raport me vitin 2005, aq më shume dëmtoni rëndë cilësinë e rritjes ekonomike të vendit.

Nëse vazhdoni kështu, shumë shpejt shkurtimet do të bëhen më të rënda, arsimi, shëndetësia dhe grupet sociale si të papunët, të paaftët, të varfrit, do të goditen me rëndë.

Shumë shpejt pabarazia sociale do të rritet, kohezioni social i vendit mund të përkeqësohet dhe stabiliteti politik i vendit behet me i vështirë dhe me pasoja të renda afatmesme dhe afatgjata.

Këto nuk janë deklarata emocionale, por këto janë mësime konkrete që vijnë nga vendet e tjera që po kalojnë krizën e borxheve të rënda.

Mundësia më e mirë për të ulur këtë risk është të rriten ritmet e rritjes ekonomike. Reformat për të çliruar rritjen ekonomike të vendit nuk kërkojnë kosto buxhetore, kërkojnë përgjegjshmëri dhe vullnet politik ndaj vendit.

Ato janë reforma që kërkojnë të rritet liria e pronës, të luftohet korrupsioni, të luftohet kapja e shtetit, të nxitet biznesi i vogël dhe i mesëm, të rritet kursimi në ekonomi që të ulet kostoja e financimit të saj.

Papërgjegjshmëria juaj politike e deficiteve të rritura publike dhe buxhetore, rrezikon të kthehet në një kosto të rëndë sociale për të gjithë shqiptarët.

KOMENTE