Tiranë, 14 tetor, NOA – Kontributi dhe ndihmesa e Sllovenisë, veçanërisht e eurodeputetes së saj Tanja Fajon, në procesin e liberalizimit të vizave për Shqipërinë, ka qenë mjaft e vlefshme.
Kështu vlerësoi presidenti i Republikës, Bamir Topi gjatë një takimi me kryetarin e parlamentit të Sllovenisë, Pavel Gantar dhe delegacionit që e shoqëronte në kuadër të vizitës së tij zyrtare në vendin tonë.
Duke i uruar mirëseardhjen në vendin tonë kryeparlamentarit slloven, presidenti Topi shprehu vlerësimin për marrëdhëniet shumë të mira dypalëshe dhe interesin për zgjerimin dhe konsolidimin e tyre në të ardhmen në planin dypalësh dhe atë rajonal.
Ai vuri në dukje se i një rëndësie të veçantë në këtë drejtim paraqitet dhe bashkëpunimi ndërparlamentar, i cili kontribuon në nxitjen dhe zhvillimin e proceseve integruese të vendit tonë në Bashkimin Evropian.
Në këtë takim të dy bashkëbiseduesit u shprehën në mbështetje të plotë të intensifikimit të bashkëpunimit në shumë fusha me interes të ndërsjellë midis Shqipërisë dhe Sllovenisë, në atë të ekonomisë dhe në fusha të tjera të shkëmbimeve tregtare, kulturore, etj.
“Shqipëria ofron mundësi të mira për tërheqjen e investimeve të huaja në tregun dhe ekonominë shqiptare dhe për pjesëmarrjen e kompanive sllovene në të”, - nënvizoi presidenti Topi dhe theksoi se “ne dëshirojmë një prani më të madhe të kompanive dhe firmave prestigjioze sllovene që të investojnë në Shqipëri, në procesin e privatizimit të sektorëve strategjikë në vend”. Nga ana e tij, kryetari i parlamentit të Sllovenisë, Pavel Gantar, shprehu kënaqësinë për këtë vizitë në Shqipëri dhe për mikpritjen që autoritetet shqiptare i kanë ofruar.
Ai vlerësoi zhvillimin dhe ndryshimet pozitive të vendit tonë, dhe pasi shprehu mbështetjen e plotë për aspiratat e Shqipërisë për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian, theksoi gatishmërinë dhe vullnetin e Sllovenisë dhe institucioneve të saj për të ndarë me ne përvojën e frytshme integruese me qëllim përmbushjen standardeve dhe kërkesave integruese.
n.e/NOA