Bruksel, 14 tetor, NOA – Gjatë vizitës së tij në Bruksel, Ministri i Punëve të Jashtme Edmond Haxhinasto u takua me zëvendëskryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm belg, Steven Vanackere.
Temat kryesore të diskutimit mes dy diplomatëve ishin forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit dypalësh, nxitja e investimeve belge në Shqipëri, ecuria e procesit të integrimit evropian të Shqipërisë, liberalizimi i vizave, si dhe zhvillimet më të fundit në rajon.
Të dy ministrat vlerësuan se marrëdhëniet dhe dialogu politik mes dy vendeve janë në momentin e tyre më të mirë.
Ministri Haxhinasto shprehu besimin se ky vullnet i ndërsjellë politik do të sigurojë e nxisë një dinamikë të re bashkëpunimi ekonomik dhe një prani më të madhe e cilësore të investimeve belge në Shqipëri.
Zoti Haxhinasto bëri një pasqyrë të reformave dhe arritjeve kryesore të qeverisë shqiptare, të cilat kanë në thelb angazhimin për përshpejtimin e procesit të integrimit të Shqipërisë në BE.
Zëvendëskryeministri Vanackere, vlerësoi progresin e bërë nga Shqipëria në rrugën e reformave, dhe siguroi për mbështetjen e Belgjikës si në kuadër të liberalizimit të vizave, ashtu edhe në etapat e tjera të procesit të integrimit evropian.
Në takim u diskutua edhe për zhvillimet e fundit në rajon, ku zëvendëskryeministri belg mirëpriti rolin e spikatur të Shqipërisë për stabilitetin dhe bashkëpunimin rajonal, duke përcjellë dhe vizionin e përkrahjen e vazhdueshme të Belgjikës për integrimin evropian të Ballkanit Perëndimor.
Të dy ministrat ranë dakord për negociimin dhe finalizimin së afërmi të një marrëveshjeje në fushën e sigurimeve shoqërore, nga e cila përfiton komuniteti shqiptar në Belgjikë. Në fund të takimit të dy ministrat nënshkruan një marrëveshje për punësimin e familjarëve të misioneve diplomatike dhe konsullore në të dy vendet, e cila pasuron kuadrin ligjor mes të dy vendeve.
mit/NOA