English

Vrau në 2004-n, ekstradohet nga Belgjika i dënuari Ismet Boriçi me 25 vjet burg

Tiranë, 14 tetor, NOA – Në sherr e sipër, 6 vjet më parë ai do të kryente një vrasje në qytetin e Durrësit, për të cilën do të dënohej edhe me 25 vjet burg, e për shumë kohë do të fshihej në Belgjikë, por i ka ardhur momenti të kthehet në Shqipëri për të kryer dënimin.

Bëhet fjalë për 34-vjeçarin Ismet Boriçi, lindur në Fier, për të cilin burimet policoret Tiranës i raportojnë agjencisë së Lajmeve NOA ekstradimin e tij nga Brukseli i Belgjikës dhe mbërritjen paraditen e sotme në aeroportin e Rinasit në Tiranë.

Konkretisht, ai akuzohet se më datë 27.01.2004, në lagjen “Apolonia” të qytetit të Durrësit, në bashkëpunim me tre shtetas të tjerë, përkatësisht Platon Pepa dhe vëllezërit Fredi e Sokol Aliaj, ka vrarë me mjete të forta Robert Mitron.

Për këtë akt, gjykata e Shkallës së Parë për Krimet e Rënda Tiranë, me vendimin nr.19,

datë 07.05.2007, e ka dënuar këtë person me 25 vjet burg për kryerjen e veprës penale të “Vrasjes me paramendim në bashkëpunim” parashikuar nga nenet 79 dhe 25 të Kodit Penal të Shqipërisë.

Dhe si rezultat i bashkëpunimit të zyrës së “Interpol Tirana” me “Interpol Brukseli”, u bë i mundur lokalizimi dhe arrestimi i këtij personi, më datë 10.08.2009, me qëllim ekstradimi drejt vendit tonë.

Ndërsa sot në aeroportin “Nënë Tereza” në Rinas, Boriçi u është dorëzuar përfaqësuesve të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve.

n.e/NOA

KOMENTE