Tiranë, 15 tetor, NOA – Drejtësia shqiptare është më afër standardeve ndërkombëtare fal ndihmës që është dhënë nga institucionet e Bashkimit Europian. Kjo është deklarata që ka bërë sot kryetarja e Gjykatës së Lartë Shpresa Beçaj, gjatë takimit me Shefin e ri të Misionit EURALIUS III në Shqipëri Joachim Urias Martinez si dhe zëvendës shefin e këtij misioni Gianluigi Pratola.
Beçaj ka shprehur konsideratat më të larta për këtë mision të rëndësishëm, si dhe ka theksuar se Shqipëria ka përfituar shumë nga përvoja e vendeve të zhvilluara.
Ajo ka theksuar se eksperiencat e EURALIUS, i kanë shërbyer në mënyrë të veçantë dretësisë shqiptare.
Kryetarja e Gjykatës së Lartë është ndalur në ndihmën e dhënë në disa ligje, si ai “Organizimin dhe Funksionimin e Pushtetit Gjyqësor”, “Konferencës Gjyqësore Kombëtare”, “Antimafian” dhe projekt-ligje të tjera të rëndësishme e rekomandime të ndryshme si “Për përmirësimin e dialogut ndërinstitucional brenda sistemit gjyqësor të drejtësisë”, “Mbi inspektimin dhe proceset disiplinore kundër gjyqtarëve nga K.L.D.”, etj.
Shefi i ri i misionit EURALIUS III ka vlerësuar si mjaft pozitive eksperiencën e Shqipërinë në bashkëpunimin me misionet e BE.
Ai ka theksuar se takimet e EURALIUS III dhe ekspertëve të huaj, do të vijojnë me të gjithë drejtuesit kryesorë të drejtësisë në vendin tonë dukë parë nga afër nevojat dhe problematikën me të cilën përballet aktualisht drejtësia shqiptare.
a.k/NOA