Tiranë, 15 tetor, NOA/ Milena Selimi - Po tentojnë në një gjini të gjatë të artit koreografik. Gerd Vaso dhe Enada Hoxha, të kudondodhur në spektaklet televizive dhe shfaqjet e TKOB-së me koreografitë e tyre, prezantohen përpara publikut për herë të parë në gjininë e baletit.
“Dhimbje dhe dashuri” do të jetë premiera e baletit, bazuar në jetën dhe krijimtarinë e Shopen-it, e cila do të shfaqet në TKOB në datën 16, 17 tetor.
“Dhimbje dhe dashuri” sjell në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit botën mondane dhe sallonet parisiene. Një jetë e fuqishme artistike dhe një vuajtje shpirtërore e shtypur nga realiteti dhe sëmundja-duket se këto janë dy boshtet kryesore ku koreografët kanë ngritur libretin e baletit të tyre. Koreografët ngrenë një paralele të fuqishme mes potencialit artistik të kompozitorit dhe vetmisë e trishtimit të tij, që shkaktohet nga fatet e vendit (revolucioni në Poloni).
Me një frymë kontemporane të lëvizjeve skenike, koreografët konceptojnë dhe premtojnë baletin që krijohet nga “Muzika e madhe që inspiron në çdo tingull lëvizje”.
Solistët Odeta Dishnica, Ledia Sulaj, Rovena Shqevi, Loreta Bala, Jonida Onuzi, Dion Gjinika, Evis Nallbani, Fatjon Lito, Elona Nallbani dhe trupa e baletit do të interpretojnë në muzikën e veprave të Frederik Shopenit, me kostumet e Ardi Asllanit, ndërsa skenografia është realizuar nga Taulant Pustina.
Baleti shfaqet me mbështetjen e Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ambasadës së Polonisë dhe ambasadës së Francës në “Vitin muzikor Shopenian”.
n.e/NOA