English

FMN dhe BB: Shqipëria, ndër vendet e pakta që i rezistoi krizës globale

Uashington, 15 tetor, NOA - Drejtuesit e lartë të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, vlerësojnë se Shqipëria ishte një nga vendet e pakta që arriti t’i rezistojë efekteve negative të krizës globale, duke regjistruar rritje ekonomike pozitive në një ambient me inflacion të ulët.

Një fakt të tillë ata e kanë bërë me dijeni gjatë takimeve vjetore të tyre, në të cilat ka qenë i pranishëm edhe guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, së bashku me ministrin e Financave, Ridvan Bode.

Siç raportohet nga burime të delegacionit shqiptar në këto takime, për agjencinë e Lameve NOA, gjatë tyre, u vlerësua roli i rëndësishëm që ka luajtur Banka e Shqipërisë në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik në vend, si edhe fakti që bashkërendimi i dy politikave bazë në ekonomi, asaj monetare me atë fiskale ka qenë i suksesshëm. Veçanërisht, veprimet e fundit të ndërmarra nga qeveria për shkurtimin e shpenzimeve dhe të defiçitit buxhetor si dhe reagimi i Bankës së Shqipërisë me uljen e përqindjes së interesit u vlerësuan si hapa të rëndësishëm në qëndrueshmërinë e ekuilibrave makroekonomikë të vendit.

Në datat 8-10 tetor 2010, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, në krye të një delegacioni të Bankës së Shqipërisë, së bashku me ministrin e Financave, Ridvan Bode, mori pjesë në mbledhjet vjetore të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, të zhvilluara në Uashington, SHBA.

Mbledhjet vjetore të FMN-BB zhvillohen në formën e një forumi të hapur, gjatë së cilës guvernatorët pjesëmarrës diskutojnë mbi zhvillimet e fundit në ekonominë botërore si dhe prezantojnë situatën makroekonomike të vendeve përkatëse. Këtë vit në qendër të diskutimeve kanë qenë strategjitë që do të ndiqen në situatën pas krize.

n.e/NOA

KOMENTE