Lezhë, 15 tetor, NOA – Pasi është kthyer në shtëpi në gjendje të dehur në orët e vona të natës, një burrë ka pirë një lëndë helmuese të papërcaktuar, duke u dërguar më pas urgjentisht në spital nga dy fqinjë si edhe nga familjarët e tij.
Bëhet fjalë për 47-vjeçarin Preng Pjetri, me banim në fshatin Zejmen të Lezhës, i cili pasi mori ndihmën e parë në spitalin rajonal të Lezhës, është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin Ushtarak të Tiranës, në gjendje të rëndë shëndetësore.
Ngjarja e rëndë konfirmohet nga burimet policore të Lezhës për agjencinë e Lajmeve NOA, sipas të cilave, nga deklarimet e marra prej familjarëve, rezulton se ky person ka ardhur në banesë në mbrëmje vonë, në gjendje të dehur dhe pasi ka pirë një lëndë helmuese të papërcaktuar, ka rezultuar në gjendje mjaft të rëndë shëndetësore.
Ndërkaq, në cilësinë e provës materiale, është sekuestruar një shishe plastike e vogël, ku ndodhet lënda helmuese.
Materialet do t’i kalojnë prokurorisë së Lezhës për veprën penale të “Shkaktimit të vetëvrasjes”, e mbetur në tentativë, parashikuar nga nenet 99 dhe 22 të Kodit Penal.
n.e/NOA