Koha është e qytetareve shqiptarë, pasi tempulli i demokracisë evropiane votoi për heqjen e vizave për këta qytetarë dhe jo për politikanët, pasi ata kanë pasaportat diplomatike dhe disa prej jush e kanë pronë këtë dhe bredhin nga kazinoja në kazino
Nga Prof. Dr. Sali Berisha
Koha është e atyre qindra e mijëra nëna e baballarëve, motra e vëllezërve, shumë prej të cilëve morën në varr brengën dhe mallin për njerëzit më të dashur që nuk i panë dot. Eshte për ata që kanë dhjetëra vite që nuk kanë parë e përqafuar djemtë e vajzat e tyre, nipër e mbesa në vende të huaja. Koha eshte për të rinjtë shqiptarë, të cilët më së fundi, nga një rini e rritur brenda kloneve kaloi në një rini që endet e lirë në mbarë Evropën.
***Një fjalë thotë më mirë vonë se kurrë. Unë ju bëj thirrje ti bashkangjiteni këtij procesi, pasi ky është një proces jetik për çdo qytetar shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tyre partiake. Ky është një proces jetik për çdo të ri shqiptar, pavarësisht nga bindjet e tyre politike. Thirrjet më miqësore, më të hapura, më të sinqerta të drejtuara ndaj jush, që të merrni pjesë në këto procese historike për vendin, juve iu përgjigjët me vetëpërjashtimin total. Mos harroni se në vetë historinë e partisë suaj, vetëizolimi, vetëpërjashtimi, vetëharresa kanë qenë shtyllat kryesore politike të saj.
Një vit me radhë në këtë parlament janë votuar me dhjetëra ligje dhe reforma, të cilat kanë qenë të lidhura me procesin e heqjes së vizave dhe ju asnjë prej tyre nuk denjuat ti votoni, sikur këto të ishin reforma që bëheshin për Sali Berishën. Që të gjitha këto kishin një impakt madhor shumë herë më të madh tek zgjedhësit tuaj, tek të rinjtë shqiptarë, kurse ju gjetët forcë dhe moral për tu vetizoluar.
Kryetarin tuaj e dëgjoja një ditë tek mburrej se zonja Tanja Fajon është socialiste. Është e vërtetë që zonja Fajon është socialiste. Është e vërtetë që zoti Martin Shulc, kryetari i grupit parlamentar të socialisteve evropiane, mbështeti por çfarë betë ju, zotërinj socialistë shqiptarë.
Si mund të mburreni ju me socialistët evropianë, kur ju vetë në vendin tuaj, në bankat e këtij parlamenti refuzonit të votonit çdo praktikë që nevojitej për heqjen e vizave. A mund të më thoni ju çfarë ngjashmërie keni ju me ta? Absolutisht asnjë ngjashmëri.
Disa prej jush keni marrë pjesë në rrëzimin e diktaturës, por si ka mundësi pas 20 vitesh atë ideal evropian ta transformoni, për hir të një njeriu që lëviz i lirë në mbarë botën me pasaportë diplomatike të dhënë nga qeveria? Atëherë si ka mundësi që ju të damkosni veten tuaj me vetëizolim dhe vetëharresë. Nuk është kurrë vonë që të korrigjoheni dhe ta dini mirë se derën e bashkëpunimit me qeverinë do ta kenë të hapur. Lërini shpifjet dhe trillimet se në mënyrë absolute veçse nxijnë çdo ditë e më tepër shpifësit dhe trilluesit. Ejani të bashkëpunojmë.
Dy javë më parë ju refuzuat në mënyrë kategorike kërkesën e qeverisë amerikane nëpërmjet ambasadës amerikane për të votuar në këtë parlament, ligjin për gjykatën administrative. Kryetari juaj u tha shqiptarëve se e refuzova pasi unë nuk mund ti jepja Sali Berishës, gjykatën Administrative. Mendoni ju se SHBA-te po I jepnin Sali Berishës gjykatat. Jeni gabim zotërinj. Ata që e kanë lexuar dhe vizituar atë vend e kanë të qartë se vendi I lirisë, shtyllë kryesore të lirisë së të drejtave dhe të qytetarëve të saj ka sistemin e drejtësisë dhe SHBA-të nuk do të shpenzonin qoftë edhe një dollar të vetëm për të ndërtuar këtu gjykata të kontrolluara nga qeveria. Këtë qëndrim mbani ju, ndaj gjykatave. Kam dëgjuar Kryetarin tuaj në Strasburg që i thoshte një audience se Gjykata Kushtetuese ka dhënë 36 vendime kundër Sali Berishës dhe pas 3 minutash njëlloj si kaprolli që harron gjurmën e tij u kthye e tha ajo është tërësisht politike dhe e kontrolluar nga Sali Berisha.
***
Edhe njëherë ju them gjeni forca për tu shkëputur nga një praktike e tillë jashtëzakonisht e dëmshme për ju. Le të votojmë ligjin e gjykatës administrative.
Dua tu bëj një pyetje. Ka prej jush deputetë që nga vitet 90. Le të më thonë a ka në Evropë një maxhorancë që ti thotë opozitës harto vetë amendamentet për ligjin zgjedhor, merr mendimin e OSBE dhe eja ti votojmë. JU nuk e bëni këtë sepse keni adaptuar nihilizmin, por të jeni të sigurtë se kjo është rruga më joproduktive për ju dhe në se mendoni se kështu i afroheni pushtetit, ju garantoj se pushteti në këtë mënyrë bëhet një horizont i paarritshëm për ju. Ju shndërroni veten në një grup radikalësh, të cilët mbi interesat e vendit, mbi interesat jetike të qytetarëve shqiptarë, për lëvizjen e lirë, mbi interesat e biznesit shqiptar për të patur një arbitër midis administratës qeveritare, lokale dhe qendrore dhe biznesit të tyre, ju vendosni nihilizmin, absurditetin, vetëpërjashtimin. Është e thjeshtë të mburresh me socialdemokratët evropianë, të cilët si një alternativë me qendrën e djathtë kanë kontributin historik ndërtimin e Evropës, por nuk mund të merresh me ta kur e kthen partinë Socialistë në kohërat e saj të dënimit të qytetarëve shqiptarë.
Nga ajo kohë deri më sot kane kaluar 60 vite. Nuk kemi detyrim tjetër veçse interesat jetike të shqiptarëve. Urdhëroni të votojmë Gjykatën Administrative, urdhëroni të votojmë reformën zgjedhore. Mos e bëni ju, pasi do të mund të penalizoni një vend të tërë për interesat personale të një njeriu, i cili ua bën statutin siç e do vetë. Njëherë thotë se kryetari do të ikë, pastaj thotë se kryetari nuk do të ikë. Me statusin tuaj bëni të doni, por me qytetarin shqiptar, kufizohuni dhe mbroni interesin e tyre.
Qeveria është e hapur për bashkëpunimin me ju. Ju kur refuzoni ligjin për gjykatën administrative, refuzoni ligjin për konfiskimin e aseteve të krimit. Ju nxini me çdo kusht pasaportat biometrike dhe pastaj mburrni socialdemokratët evropianë, kur ju vetë duhet të jeni socialdemokratë. Duhet të ndani vlerat e tyre. Shqiptarët duhet të mburren me socialdemokratet shqiptarë në radhë të parë sepse ata kanë nevojë, ndaj edhe socializmi evropian është ndërtuar mbi bazat e socialdemokracisë, pavarësisht nga emri ato parti ndërtojnë vlerat që ju besojnë ndaj dhe rikthehuni tek ato kontribute që keni.
Unë shoh deputetë, jo të kësaj legjislature që kanë votuar për marrëveshjen e Stabilizim asociimit. Ka deputetë këtu që kanë ardhur me mua në shkallët më prestigjoze të Aleancës së Atlantikut të Veriut. Kryetari juaj I mëparshëm bëri të gjitha kompromiset e nevojshme në interes të vendit.
Ndersa tani keni kaluar në kurthin e vetë përjashtimit, keni kaluar në kurthin e vetëmohimit, praktikat më primitive të PPSh për 50 vite në këtë vend.
* * *
Unë ju garantoj se në të gjithë ekspozetë e mia në këtë parlament ka vetëm një qëndrim,qëndrimin e hapur ndaj jush për bashkëpunim. Por nga ana tjetër ju garantoj se kjo qeveri ka axhendën e vet. Një axhendë ndër më intensivet në historinë e këtij vendi, një axhendë, e cila synon në reforma të thella dhe të gjithanshme të përmbushë detyrimet në proceset e integrimit të vendit. Një axhendë, e cila synon në reforma të thella dhe të gjithanshme të garantojë rritjen ekonomike të vendit. Një axhendë, e cila synon të transformojë infrastrukturën e këtij vendi, një axhendë, e cila synon të rrisë rrogat dhe pensionet për qytetarët shqiptarë dhe të çojë me shpejtësi Shqipërinë drejt moshës dixhitale.
I nderuar zotëri, kjo axhendë, çdo ditë njeh zhvillime të reja pozitive, kjo axhendë çdo ditë njeh suksese të pa diskutueshme. Nëse unë ju flas ju që të bashkëpunojmë, kjo nuk do të thotë aspak se ka interferencën më të vogël qëndrimi juaj në axhendën time. Ju keni zgjedhur vetë përjashtimin nga zgjidhja jua. Por z.Ruçi dua tu them dy gjëra. I përmendet disa herë ata shiritat, ata shirita nuk duhet ti përmendësh ti, sepse ata janë dëshmi e një përpjekje madhore për të ndryshuar jetën e qytetarëve shqiptarë.
Sigurisht po të kapardisesh në sallonet luksozet kafeneve të Tiranës, nuk i qan hallin atij hormovitit, që duhet të ngjitet 700 metra lart në mal me një rrugë të shkatërruar, ndaj dhe shiriti pritet se i rregullohet rruga hormovidit, i rregullohet rruga Xarës, Shishtavecit, dhe qindra e qindra komunave dhe fshatrave të vendit. Në prerjen e këtyre shiritave duhet të ishit dhe ju, dhe ti z.Ruçi duhet të ishe në prerjen e atyre shiritave, sepse je deputet i asaj zone. Ato shirita z.Ruçi në qytetin ku ti ke punuar ishin kësaj radhe ujë 24 orë, nuk duhet që ti të ngrihesh dhe te flasësh, se ata shirita ishin për qytetarët e thjeshtë. I nderuar zotëri sërish ju mendoni se mund tu thoni qytetarëve shqiptarë të pavërtetat më të mëdha dhe kapardiseni duke i thënë ato. Këtu të dëgjuan të gjithë duke akuzuar se ne paskemi kthyer kandidaturat e Presidentit të Republikës. Shqiptarët duhet ta dinë zotëri se Gjykatën Administrative dhe Kryetarët e Gjykatave nuk i emëron qeveria i emëron Këshilli i Lartë i Drejtësisë, që drejtohet nga Presidenti i Republikës. Ndaj është e gabuar ti ofendoni ata dhe të mendoni se çdo mashtrim që ju nxirrni, fabrikoni në valët e radiove dhe ekraneve televizive, ata do ta besojnë. Jo të nderuar zotërinj, Gjykatën Administrative nuk e emëron qeveria. Ligjin e Gjykatës Administrative e kanë përgatitur ekspertet më të mirë ndërkombëtarë. Për Gjykatën Administrative të Shqipërisë, Kongresi i SHBA dhe qeveria amerikanë kanë përcaktuar 16 milion dollarë, por ju z.Ruçi nuk e votuat atë, se e gjetët më të lehtë të ktheheni në origjinë sesa të shikoni përpara. Ky është problemi madhor.
Z.Ruçi unë kam bashkëpunim të gjatë me PS përveç këtij viti, por do ta konsideroja një nga ditët më të hidhura të jetës sime politike, kur ju pashë ju me grupin tuaj parlamentare para parlamentit dhe vinte lepurushi ju kapte për mange këtej dhe andej. Ty deputet që nga ‘90 deri më sot të tregonte radhën dhe rreshtin se ku duhet të qëndroje, ju garantoj se ai lepurush do të të nxjerrë ty të parin nga parlamenti dhe nga PS shumë shpejt, po, po, ai lepurush që të tregonte se do rrish këtu e do rrish atje, pas disa muajsh do të të thotë ik se ti nuk na duhesh më.
Më pyete se cilat ligje nuk votuat ju për vizat. Po i nderuar zotëri, Ligji i Konfiskimit të Pasurisë dhe bandave kriminale, ishte kusht për vizat, po i nderuar zotëri ligji për Anti-diskriminimin ishte një kusht për vizat, po i nderuar zotëri, por ju në vend që të dëgjoni interesat e shqiptarëve ju u kap për mënge lepurushi. Ligji për Policinë Gjyqësore ishte ligj për vizat, të gjitha këto, ndaj mos u thuaj shqiptarëve ti se nuk keni lënë ligj pa votuar, asnjë prej këtyre ligjeve nuk votuat. Por pavarësish kësaj thirrja ime është që të bashkëpunojmë, sepse në axhendën e qeverisë ju garantoj se janë reformat, janë infrastrukturat, rruga e respekti ndaj opozitës.
Në kulmin e krizës ekonomike botërore, buxheti 2009 përmbushi të gjitha prioritetet e vendosura
Çdo qytetar i këtij vendi, ndihet i vlerësuar maksimalisht ndaj buxhetit që po shqyrtojmë. Ndihen vlerësues ndaj buxhetit, që po shqyrtojmë mbi 800 mijë familje shqiptare, të cilat në rrogat apo pensionet e tyre patën rritjen më të madhe se në çdo vend tjetër në Evropë në një kohë kur vendet e tjera edhe anëtare të Bashkimit Evropian u detyruan të bëjnë shkurtime në rroga edhe deri në masën 40%. Nuk do të më shlyhen nga mendja ndonjëherë, debatet në këtë parlament, thirrjet për të mos rritur rrogat e pensionet, deklaratat se rritja e rrogave dhe pensioneve është kriminale, deklaratat se rritja e rrogave dhe pensioneve është elektorale, etj.
Rritja e rrogave dhe pensioneve, ishte zbatimi i një premtimi të madh elektoral që ne kishim bërë, se do të dyfishoheshin pensionet e ulta në fshat, se nuk do ketë pension nën 100 dollarë në qytete, do të dyfishohen rrogat e arsimtarëve, infermiereve dhe mjekeve. Qëndroj sot këtu para jush, shumë mirënjohës dhe vlerësues, por edhe krenar se këto objektiva më ambicioz që një qeveri mund ti vendosë vetes, u zbatuan pikë për pikë dhe u zbatuan në kohën më të vështirë. Çdo pensionist në fshatin shqiptarë në vitin 2005 merrte 360 mijë lek të vjetra, në vitin 2009 me rritjen e pensionit arri të merrte 72 mijë lek. Çdo pensionist në qytet që merrte 60-70 dollarë në muaj me rritjen e pensionit arriti të marrë 100 dollarë në muaj. Çdo mësues dhe mësuese që merrte 200 apo 220 mije lekë në muaj në vitin 2005, në vitin 2009 arriti të marrë 420 apo 440 mijë lek. Çdo infermiere e këtij vendi, e cila në vitin 2005 arrinte të merrte një rroge 150 apo 170 mijë lek në muaj, në vitin 2009 arriti të marrë 300 apo 320 mijë lek, po kështu edhe mjekët etj. Shqipëria me buxhetin e vitit 2009 arriti ia doli të rrisë rrogën e administratës publike me një mesatare 66%, por Shqipëria me buxhetin e vitit 2009, ia doli të oksidentalizojë piramidën e rrogave të këtij vendi. Në hapësira të tmerrshme brezhnieviane, në të cilat rrogat më të larta diferenconim me ato mesatare me 10-15 herë. Këto gërshërë u ngushtuan me 6 herë. Ky pra ishte buxheti në kohëra krizash të mëdha Evropiane dhe botërore, por buxhet që ruajti frymën dhe njerëzinë, fytyrën njerëzore të qeverisë sonë.
Rrogat dhe pensionet nuk janë rritur dhe nuk do të rriten ndonjëherë për qëllime elektorale, përkundrazi, rrogat dhe pensionet do të vazhdojnë të rriten dhe janë rritur me besimin tim më të thellë, se administrata e vendit duhet të shpërblehet sa më mire për punën që bën, se pensionistët e vendit sado që tu japim nuk arrijmë ti shpërblejmë për lumenjtë e djersës që kanë derdhur në një regjim paranojak. Por rritje të madhe pësoi edhe ndihma ekonomike, e cila u dyfishua. Pra qeveria ia doli të rriste ndjeshme faturën sociale të vendit, faturë kjo e domosdoshme për të bërë një shpërndarje më të ndershme të të ardhurave. Ky buxhet i vitit 2009, ju dha një përgjigje të madhe problemeve të arsimit pas dyfishimit të rrogave të arsimtarëve në këtë vend nuk ka asnjë arsimtarë, që do të largohet nga detyra, sepse ka dëshirë dhe motivim. Ky buxhet bëri që çdo shkollë e vendit të jetë me internet dhe sot Shqipëri është më lart se disa vende të BE për sa i përket shkallës së penetrimit në shkolla. Ky buxhet bëri të mundur kompletimin e procesit të prokurimeve publike tërësisht elektronit i cili bëri që Shqipëria të marrë çmimin e dytë për sa i përket transparencë në këtë proces, ky buxhet bëri që Shqipëria të ecë me shpejtësi drejt moshës dixhitale, mos harroni se në vitin 2005 ne gjetëm një Shqipëri vetëm me 4.8 % të internetit ndërsa sot penetrimi i internetit është 32% dhe ju garantoj se në krye të 3 viteve do të ketë kapur mesataren Evropiane për sa i përket shkallës së penetrimit të internetit në popullatë.
Ky buxhet ka ndjekur objektiva madhor, rindërtimin e infrastrukturës së vendit. Ne kemi një projekt ndër me ambiciozët që mund të ekzistojë. Ne jemi zotuar para qytetarëve shqiptarë, se do të bëjmë çdo gjë, që çdo qendër komune të lidhet me aksin kombëtar prej një kohë 15-20 minutash. Ne jemi zotuar që nga çdo qoshe e këtij vendi, qytetarët shqiptarë të mund të kapin kryeqytetin në një kohë 50% më të shkurtër. Nuk ka projekt më ambicioz, por ky projekt përbën thelbin e vlerës së kohës, ne besojmë se koha është diamanti i gjithë diamanteve është vlera e të gjitha vlerave. Ndaj dhe ne duam me vendosmëri të madhe që qytetarëve shqiptarë tu japim dy herë më shumë kohë dhe jemi angazhuar me një proces të pa përmbajtur të ndërtimit dhe rindërtimit të rrugëve të reja në mbarë vendin. Shpreh keqardhje për disa koleg të këtij vendi, që e shohin Shqipërinë prapa xhameve të zinj dhe tapeteve të kuq të lokaleve luksoze apo kazinove, Shqipëria është krejtësisht tjetër. Ky buxhet bëri këtu që qarku i Vlorës të kishte në katër vite 662 milion euro investime nga kjo qeveri. Ky buxhet bëri që gjasme për këta që bëjnë pseudo patriotizmin, bëri që në këtë qark të asfaltohen rrugë kombëtare dhe rurale 500 km rrugë. Ky buxhet bëri që vetëm në distancën Llogara-Sarandë të asfaltohen mbi 150 km rrugë. Ky buxhet bëri që vetëm në udhëtimin tim të fundit të inaugurojë 50 km rrugë rurale në rrethet e Sarandë e Gjirokastrës. Ky buxhet bëri që në qarkun e Gjirokastrës të përfundonte ndërtimi i 290 km rrugë. Ky buxhet bëri që në këto dy qarqe të përfundonte ndërtimi i mbi 120 shkollave, të përfundojnë qindra ujësjellsa e kanalizime. Buxheti bëri që të ecet me shpejtësi në unazat verilindore e juglindore të vendit, unazë e cila përfundon në Delvinë. Unazë në të cilën banojnë qytetarët e dhjetëra e dhjetëra komunave. I vizitoni këto se do të kuptoni se Shqipëria është krejtësisht tjetër nga ajo që shikoni ju prapa xhamave të zi të klubeve të udhëheqësve tuaj.
Ky buxhet bëri që të finalizojë kryeveprat e infrastrukturës shqiptarë, rruga e kombi dhe njëherë dhe 100 here, ju them ti kërkoni falje atij tuneli, sepse ai u bë simbol. Juve mund tu duket çudi, sepse ne ti kërkojmë të falur një tuneli që është hekur, beton dhe gurë, ti kërkoni simbolit që mbart tuneli, sepse i keni vërsulur me tonelata shpifje e vrer me propagandën tuaj kundër tij. Sot tuneli i ka kaluar shumë here parashikimet. Ju që bëni pseudo patriotin e gjeografisë, ju them këtu se nga ky tunel dhe nga kjo rruge ata që kanë përfituar më pak janë qarqet e Kukësit dhe Dibrës, ata që kanë përfituar më shume se kushdo tjetër janë Durrësi, Myzeqeja, Saranda, ju që bënë gjeo politikën dhe u vërsulet mbi të se po bëhen investimet në veri. Investimet po bëheshin për kombin ndaj dhe njëherë i kërkoni falje simbolit. Ky buxhet ia doli pothuaj të finalizojë asfaltimin e të gjitha rrugëve, që çojnë drejt detit dhe vendi juaj është vend tjetër sot nga Velipoja deri në Ksamil. Në respekt të qytetarëve të atyre zonave, por edhe në respekt të turistëve që vijnë dua tu informoj këtu se vetëm në Golem sipas statistikave lokale të autoriteteve lokale ka pasur 420 mijë turistë, vetëm në komunën e Golemit pa përfshirë Synein dhe pa Spillenë. Vetëm në atë komune që qeveriset nga socialistët. Nuk janë shifrat e mia, janë shifrat e autoriteteve vendore, të cilat faktojnë këtë. Pra ky buxhet mbështeti Shqipërinë turistike, Shqipëria merr turistë më shumë sesa ka banorë. Ky buxhet u dha një shtyrje të madhe ujësjellësve dhe kanalizimeve në mbarë vendin. Njëra pas tjetrës çdo ditë po rritet numri i qyteteve që kanë ujë 24 orë. Projekti i ujësjellësit të Tepelenës është një projekt tërësisht i tre viteve te fundit, por meqë jam këtu tek ujësjellësi i Tepelenës, në vizitën time të fundit pata kënaqësinë e madhe të shqyrtoj me autoritetet vendore që pas Tepelenës dhe Memaliajt, Përmeti dhe Gjirokastra të bëhen qytetet e tjera që marrin ujë 24 orë.
Ky buxhet mbështet fuqishëm energjetikën e vendit. Së shpejti inaugurohet linja Tiranë-Podgoricë, janë inauguruar një seri nënstacionesh, investime të këtij buxheti. Inaugurohet TECI i Vlorës, i cili ka përfunduar në parametrat më të mira dhe ata të cilët shkonin dhe bënin protesta në emër të mafies, do të turpërohen se i ka treguesit e ndotjes dy here më të ulta sesa duhet. Për të njohur buxhetin duhet të njihni dhe prekni Shqipërinë dhe pastaj do flisni me respekt të madh për buxhetin. Do të doja të më padisni për zonat tuaja elektorale pse nuk po ndërtohet dhe investohen, sepse me këtë buxhet janë rikonstruktuar 1150 shkollave ne mbarë endnin dhe në mbarë vendin si rezultat i tij ulen në bankat e gjimnazit 91% e atyre që mbarojnë klasat e nënta.
Ky buxhet bëri që sot, Shqipëria të ketë një nga përqindjet më të larta të të rinjve të saj, në bankat e universiteteve, një standard prej 70 %. Ky buxhet bëri që universitetet e vendit të hapen me 182 degë. Sigurisht po të marrësh 70 % të lejeve të ndërtimit, vet i dytë dhe të lesh 500 kompani të tjera me gisht në gojë, atëherë do të këndosh gjithnjë këngën e lejeve të ndërtimit. Por shqiptarët kanë gjithnjë këngën e tyre, kanë melodinë e tyre. Ky buxhet mbështeti zgjedhjet më të mira në historinë e vendit, bëri që shqiptarët të kenë regjistrin e gjendjes civile më modern se çdo vend tjetër, bëri që shqiptarët të pajisen me pasaportat biometrike dhe letërnjoftimet elektronike më moderne të kohës. Ky buxhet mbështeti tërësinë e reformave, me të cilat u modernizua çdo pikë e kalimit të kufirit të vendit, me të cilën u modernizua i tërë sistemi i vlerësimit të riskut dhe lufta kundër kriminalitetit. Ky buxhet hodhi të gjitha themelet e atij vendimi historik që u mor një javë më parë në PE, për lëvizjen e lirë të qytetarëve shqiptarë në mbarë Evropën. Ky buxhet ishte një buxhet prej 380 miliard lekësh. Shqipëria ka nevojë për një buxhet 10 herë më të madh se ky, por ky buxhet u bazua në dyfishimin e të ardhurave në krahasim me vitin 2004, si në asnjë vend tjetër të kontinentit. Ky buxhet u bazua në shkurtimin maksimal të shpenzimeve operative të administratës, si në asnjë vend tjetër të këtij kontinenti. Ky buxhet ishte buxheti, që ne furtunën financiare evropiane ia doli të garantojë rritje ekonomike në këtë vend. Beri që Shqipëria të ketë një rritje botërisht të pranueshme prej 3.5 %. Bëri që Shqipëria të ketë një inflacion tërësisht nën kontroll, bëri që Shqipëria të ruajë likuiditet të plotë në sistemin e saj bankar, bëri që ekonomia shqiptare ndonëse u përball me pasojat e veta, prapë të vazhdojë rritjen. Monedha shqiptare, leku qëndroi më mirë se çdo monedhë tjetër, jashtë zonës euro. Pati një zhvlerësim prej 8 %, ndërkohë që të gjitha monedhat e tjera u zhvlerësuan nga 14 deri në 34 %. Ky buxhet përmbushi plotësisht të gjitha detyrimet, i dha vendit zgjedhjet më të mira ku çdo votë u skanua dhe u transmetua në kohë reale, në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve dhe u la ju, pa asnjë argument para vetes dhe botës, një vit rresht, me trillime pasi nuk ishit të zotët të paraqisnit qoftë edhe faktin më të vogël, për numërim të parregullt.
Ky buxhet është një buxhet i paprecedent në historinë e këtij vendi, për objektivat që përmbushi, për kushtet në të cilat funksionoi dhe hodhi themelet e reja të një buxheti të ri të këtij viti, i cili së shpejti do të vijë këtu, një buxheti, me të cilin kjo maxhorancë do të transformojë në mënyrë përfundimtare Shqipërinë, të një buxheti me të cilin do të realizojmë objektivat tona. Ndaj dhe ju ftoj ta shqyrtoni në mënyrë kritike dhe jo me nihilizëm. Nihilizmi është argument i të mjerit. Nihilizmi nuk është argument, por është pseudokultura e një ideologjie totalitare, e një ideologjie fanatike, e ideologjive me të cilat ju nuk duhet të pranoni të operoni në këtë vend. Ky buxhet ishte agjenda e qeverisë. Ju ftoj të merrni pjesë, të amendoni, të kritikoni, të sugjeroni, sepse për këtë jeni këtu. Ju jeni ekonomistë jeni njerëz që jetoni jo vetëm në Tiranë, por ne te gjithë Shqipërinë. Jeni njerëz të cilët keni përgjegjësitë tuaja, jeni votuar, nuk jeni këtu me vullnetin e Sali Berishës. Jeni me vullnetin e zgjedhësve shqiptarë. Ajo që është shumë e trishtueshme dhe e hidhur është se në mënyrë absolute nuk keni ngritur në këtë parlament të nderuar, për një vit apo 2 vjet rresht, qoftë edhe problemin më të vogël për hallet e qytetarëve shqiptarë, sikur ata të mos ekzistonin. Sikur para jush të kalonin liliputë që ju nuk mund ti shihni dot. E kam thënë dhe do ta them edhe 50 vjet të tjera derisa ju të qani hallet e tyre. Ata ju votojnë ju, për këtë gjë dhe nuk ju votojnë për të hyrë në kazino, nuk ju votojnë për të bredhur poshtë e përpjetë me pushime, e pastaj të ktheheni këtu për të filluar protestat. Bëni ç’të doni. Nuk është agjenda ime, por ata ju votojnë ju, pikërisht për tu bërë avokatët më të fuqishëm të buxhetit, të shpërndarjes, të zbatimit,të eficincës, të përparësive.
Të gjithë këto në mënyrën më miqësore sepse ne buxhetin do të vazhdojmë ta zbatojmë. Po ndryshojmë Shqipërinë me ritmet më të shpejta se kurrë ndonjëherë, në historinë e saj.
Fund- Fjala e Kryeministrit në Parlament