English

Meta: Dialog me biznesin i shërben ekonomisë

Tiranë, 15 tetor, NOA – Forcimi i dialogut, bashkëpunimi dhe partneriteti me komunitetin e biznesit, janë procese në interes të zhvillimit të biznesit në vendin tonë. Një fakt të tillë, ministri i Ekonomisë Ilir Meta e theksoi sot gjatë një takimi të Këshillit Konsultativ të Biznesit.

“Këshilli Konsultativ i Biznesit është një organizëm këshillues për qeverinë dhe unë së bashku me ju do të ndikojmë, në funksion të mendimeve dhe të këshillave për të gjitha aktet, të cilat miratohen dhe që kanë impakt në aktivitetin e biznesit, por edhe për të gjitha idetë dhe politikat për zhvillimin ekonomik të vendit. Në këtë drejtim ne do të bëjmë çdo gjë, jo vetëm për të bërë sa më aktiv Këshillin Konsultativ të Biznesit”, tha ai.

Duke shtuar se ky partneritet nuk është thjesht në funksion të një raporti mediatik qeveri-biznes, por të një shërbimi konkret për një funksionim gjithnjë e më të mirë të biznesit, për një klimë gjithnjë e më pozitive, klimë biznesi dhe klimë besimi.

“Kjo, - tha ministri i METE-s, - është e domosdoshme për të arritur ato objektiva që qeveria ka për zhvillimin ekonomik të vendit dhe objektivat për integrimin europian të vendit, ku angazhimi i biznesit mbetet përcaktues”.

“Natyrisht ne të gjithë së bashku do të diskutojmë edhe për këto çështje, përveç akteve konkrete që e kemi dhe detyrim ligjor që t’i diskutojmë, t’i debatojmë para se ato të miratohen nga Parlamenti apo nga institucione të tjera vendimarrëse”, u shpreh Meta.

Në fund të diskutimit të hapur për mediat, zv/kryeministri Meta siguroi edhe një herë komunitetin e biznesit se qeveria është e hapur për diskutuar me transparencë çdo akt që qeveria synon, dhe se komuniteti i biznesit është i mirëpritur për të propozuar iniciativa që përmirësojnë legjislacionin tonë në shërbim të zhvillimit të biznesit, sektorit prodhues në vend dhe ekonomisë në tërësi.

Më pas, zv/ministri i Financave, Alfred Rrushaj, anëtar i Këshillit Konsultativ të Biznesit, i cili bëri një prezantim të detajuar të projektligjeve të propozuara nga Ministria e Financës.

“Projektligji “Për Akcizat”, - tha Rrushaj, - synon të sjellë një rritje të akcizës së cigares me 20 lekë, pra nga 50 lekë që është aktualisht të shkojë në 70. Ky projektligj është hartuar në bashkëpunim me ministrinë e Shëndetësisë dhe është në kuadrin e masave që qeveria ka ndërmarrë për të reduktuar sa më shumë duhanpirjen në vendin tonë. Synohet rritja e akcizës së cigares me 20 lekë. Nga 50 lekë në 70. Kjo është një sinjal i parë për rritjen e akcizës së cigares pasi është në politikën e qeverisë një përafrim i akcizës dhe çmimit të cigares me atë të vendeve të rajonit dhe BE”, bëri me dije ai.

n.e/NOA

KOMENTE