English

Ministria e Mjedisit: S’do importojmë plehra, por lëndë të parë për riciklim

Tiranë, 15 tetor, NOA – Shqipëria nuk do të importojë plehra, por vetëm lëndë të parë për industrinë ricikluese, e cila është e rëndësishme, pasi ofron ripërdorim të atyre produkteve që sot hidhen në vend-depozitime.

Ky ka qenë sqarimi publik që zv/ministri i Mjedisit, Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave, Taulant Bino, ka dhënë në lidhje me vendimin e fundit të qeverisë për të lejuar importin e mbetjeve nga jashtë vendit, i cili në fakt shkaktoi reagimin e opozitës duke e konsideruar atë si të dëmshëm.

“Jam këtu për të sqaruar se kjo nismë mbështet ekonominë e gjelbër dhe nuk e ndot Shqipërinë”, tha Bino.

Ai sqaroi ndër të tjera, se në ndryshim nga vendimet e vitit 2004, nuk bëhet fjalë për incenerator të plehrave, siç propozonte dikur opozita e sotme, por për lëndë të para që do të përdoren nga industria ricikluese për prodhim të produkteve te reja.

“Përse ky vendim? Eshtë në mbështetje të MSA-së dhe përafron kuadrin tonë ligjor me atë europian. Vendet e BE-së kanë të miratuar sot një listë që quhet ‘lista e gjelbër’ ose lista e produkteve të pastra që lejohet të qarkullojnë për qëllime riciklimi. Nëpërmjet këtij akti ne kemi bërë të mundur që këto produkte të hyjnë dhe në Shqipëri, e sidomos të dalin nga Shqipëria pa barriera doganore”, argumentoi anën ligjore të vendimit të fundit të qeverisë, numri 2 i Mjedisit.

Sipas Binos, sot kemi në Shqipëri një industri ricikluese të zhvilluar e të aftë për të ricikluar mbi 6000 ton lëndë të parë përfshirë letrën, aluminin, plastikën etj.

Por për fat të keq, sistemi i sotëm i administrimit të mbetjeve, është i kontrolluar tërësisht nga pushteti vendor nuk ua ofron këto mundësi.

“E thënë ndryshe, kjo industri është në gjendje të largojë nga plehrat tona më shumë se 6000 ton mbetje në muaj ose 8,5% e mbetjeve që prodhohen sot në Shqipëri. Prej tyre, një pjesë e madhe mund të eksportohen”, përfundoi sqarimin e tij publik lidhur me çështjen e plehrave, zv/ministri i Mjedisit.

n.e/NOA

KOMENTE