English

Prezantohet projekti i By-passit të Fierit

Tiranë, 15 tetor, NOA – U prezantua sot në mjediset e ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit, projekti i By-passit të Fierit, pjesë e Korridorit veri-jug, ndërtimi i së cilit pritet të fillojë shumë shpejt.

Gjatë fjalës së tij, ministri Sokol Olldashi theksoi rëndësinë e këtij projekti, duke pohuar ndër të tjera se By-passi i Fierit kalon pranë parkut të Apolonisë, por jashtë zonës të përcaktuar si të mbrojtur nga institucionet shtetërore përkatës dhe do t’i japë kësaj zone të pasur me vlera historike dhe arkeologjike, një frymëmarrje të munguar.

U bë me dije gjithashtu se brenda muajve të parë te vitit 2011, fillon dhe zbatimi i këtij projekti të rëndësishëm për rrjetin rrugor kombëtar, ku në sajë të tij, koha e përshkimit të distancës (Mbrostar, Levan) reduktohet në 15 minuta, kundrejt 50 minutave të nevojshme sot.

Sipas të dhënave të komunikuara, segmenti ka një gjatësi 22 km, gjerësi 22 m, 4-korsi dhe shpejtësia e lëvizjes parashikohet të jetë 120 km /h.

Projekti në fjalë është financuar nga qeveria italiane nëpërmjet Kooperacionit Italian dhe është përgatitur nga firma “Sintagma & SVS”.

Aktualisht, po bisedohet për financimin e zbatimit të këtij projekti me BEI dhe BERZH.

n.e/NOA

KOMENTE