Tiranë, 15 tetor, NOA – “U qëndroj të gjitha akuzave që kam drejtuar për kontrabandën e naftës, por tani është puna e Prokurorisë që të hetojë më tej rreth saj”.
Kështu ka deklaruar para mediave, menjëherë sapo ka dalë nga mjediset e prokurorisë ku ka qenë për të dëshmuar mbi akuzat që lëshoi vetë sapo u shkarkua nga detyra e ish-ministrit të Ekonomisë, Energjetikës dhe Tregtisë, ndaj zyrtarëve të lartë të policisë, se ushtrojnë kontrabandë nafte.
“Si ministër i Ekonomisë kisha informacione dhe pohoj se disponoj informacione për të gjitha akuzat që kam drejtuar”, mësohet të ketë thënë ndër të tjera Prifti.
Duke shtuar se të gjitha dokumentat dhe materialet që ka në lidhje me kontrabandën e naftës, do t’i vërë në dispozicion të Prokurorisë për të vijuar ajo më tej me hetimet.
Konkretisht, ai akuzoi zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, duke shtuar në lidhje me kontrabandën e naftës që ai ushtronte, ishte vënë në dijeni dhe vetë kryeministri Sali Berisha, por pa patur asnjë shenjë reagimi.
Akuza direkte e ish-ministrit Prifti ka qenë ajo që nafta “virxhine” nuk është eksportuar siç parashikon ligji shqiptar që e cilëson si produkt të ndaluar për t’u përdorur në tregun vendas, por u është shitur kompanive vendase.
n.e/NOA