Tiranë, 15 tetor, NOA – Ish-ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, Dritan Prifti, do të thirret sot në prokurori për të dëshmuar mbi akuzat që lëshoi vetë sapo u shkarkua nga detyra ndaj zyrtarëve të lartë të policisë, se ushtrojnë kontrabandë nafte.
Konkretisht, ai akuzoi zv/drejtorin e Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Agron Kuliçaj, duke shtuar në lidhje me kontrabandën e naftës që ai ushtronte, ishte vënë në dijeni dhe vetë kryeministri Sali Berisha, por pa patur asnjë shenjë reagimi.
Akuza direkte e ish-ministrit Prifti ka qenë ajo që nafta “virxhine” nuk është eksportuar siç parashikon ligji shqiptar që e cilëson si produkt të ndaluar për t’u përdorur në tregun vendas, por u është shitur kompanive vendase.
Prifti e dha vetë këtë dëshmi gjatë një interviste, ndërsa ishte shkarkuar nga detyra e ministrit të Ekonomisë, e për këtë, ai sot duhet të japë llogari para prokurorëve të njësisë Task-Force për të dhënë dëshminë e tij për kontrabandën e naftës së papërpunuar.
Akuza e Priftit për kontrabandë nafte, duket se është marrë mjaft seriozisht nga organi i akuzës, i cili është angazhuar për ta zbardhur këtë çështje dhe prandaj tashmë, ai ka sekuestruar të gjitha materialet që janë konsideruar si provë për hedhjen dritë rreth saj.
n.e/NOA