English

Teatri s’ka para për shfaqje të reja, rikthehen “6 personazhet” e “Virginia Woolf”

Tiranë, 15 tetor, NOA, Milena Selimi - Financat e pakta do të sjellin vështirësi në sezoni artistik 2010-2011 për projektet dhe shfaqjet e reja në institucionet artistike në vend si TK, TKOB, TKK, etj.

Buxhetet e pakta ( krejtësisht të pamjaftueshme) nga MTKRS-ja kanë sjellë ngërçin e pritshëm në premiera dhe shfaqje skenike, ç’ka duhet se po reflektohet me rivëniet e shfaqjeve të sezonit të kaluar.

Në një deklaratë për median, drejtori i TK-së, Kristaq Skrami, sqaron dhe jep dy arsye të këtij programi. “Njëra është "konsolidimi i teatrit të repertorit" dhe tjera, është "plotësimi i numrit të caktuar të shfaqjeve, që nuk u arritën sezonin e kaluar dhe plotësimi i kënaqësisë së spektatorit".

Arsye të mjaftueshme, por jo bindëse. Ai anashkalon vështirësitë financiare dhe buxhetet e pakta nga MTKRS-ja.

Në sezonin e ri të Teatrit Kombëtar pritet vetëm një premierë, vepra "Tablo absurde" shkruar nga Ferdinand Hysi, që i është besuar regjisorit Milto Kutali. Të tjerat, janë vepra të prezantuara në sezonin e kaluar (janar-qershor 2010).

Më 16 dhe 17 tetor, ora 20.00, Teatri Kombëtar shfaq veprën e Pirandellos, "6 personazhe kërkojnë autor", me regji të Mehmet Xhelilit. Me aktorët: Fatos Sela, Marjeta Ljarja, Eftiola Laçka, Fadil Kujovsa, Dritan Boriçi, Olta Dako, Suela Konjari etj. Bëhet fjalë për dramën e një familjeje që shkon të rrëfehet në një sallë teatri, ku një grup aktorësh po përgatisin një shfaqje.

Me këtë dramë, Pirandello, tregon forcën e teatrit për të komunikuar. Skenografia është realizuar nga Genc Shkodrani. Kostumet: Anila Zajmi.

Të tjera shfaqje të repertorit do të jenë: "Darka e Gabuar" dramatizim i Fatos Haxhirajt bazuar në veprën më të njëjtin titull të Ismail Kadaresë, "Elektra" e Sofokliut, me regji të Adonis Filipit dhe "Kush ka frikë nga Virginia Woolf", me regji nga Kushtrim Bekteshi.

Milena Selimi/ NOA

KOMENTE