Prishtinë, 15 tetor, NOA - Lëvizja Vetëvendosje! e ka dënuar sot publikisht mënyrën e aprovimit të strategjisë së privatizimit të PTK-së dje në Kuvendin e Kosovës, duke e cilësuar atë si një “puç qeveritar”.
“Hashim Thaçi në kundërshtim me të gjitha parimet morale dhe politike, madje në kundërshtim edhe me rregullat e caktuara nga ky pushtet, i vetëm e anuloi Kuvendin e Kosovës dhe tentoi ta imponojë një vendim, i cili i shkon për shtati vetëm atij dhe nje grupi të ngushtë njerëzish që i sillen vërdallë. Meqenëse është vendim i një pakice njerëzish, shumica prej të cilëve nuk janë as qytetarë të Kosovës madje, ky vendim është në kundërshtim të plotë me interesat e popullit të Kosovës e rrjedhimisht edhe me vet vullnetin e tij”, tha në deklaratën e tij për shtyp, përfaqësuesi i Lëvizjes Vetëvendosje!
Sipas tij, Posta dhe Telekomi i Kosovës është kompania më përfituese në vend, e cila vetëm viteve të fundit i ka dhënë buxhetit të Kosovës mbi 300 milionë euro, në formë tatimi, dividende etj.
“Ajo sipas parashikimeve të ekspertëve vlen rreth 800 milionë euro, me potencial të zgjerimit afarist shumë më të madh. Përfitimet nga kjo kompani nuk janë vetëm materiale, por edhe të rëndësisë shoqërore. Prandaj edhe kundërshtohet shitja e kësaj kompanie”, citojnë drejtuesit e “Vetëvendosje”.
n.e/NOA