Shkup, 16 tetor, NOA - Dosjet e publikuara të cilat përmbajnë emrat e tre funksionarëve të lartë të BDI-së kanë nxitur debate të ashpra politike midis forcave politike BDI dhe PDSH.
Materialet kanë emrat e tre zyrtarëve të BDI-së, ministrit i Pushtetit Lokal, Musa Xhaferi, i cili pranoi se bëhet fjalë për emrin e tij, deputetit të BDI-së dhe themeluesit të UÇK-së, Fazliu Veliu si dhe një zyrtari tjetër të lartë që mban funksionin e dytë partiak në BDI, por që emri i tij akoma nuk është publikuar.
Materialet e dosjeve u dorëzuan dje pranë Komisionit për lustrimin, nga ana e një profesori shqiptar nga Tetova, i cili theksoi se ato i kishte gjetur në oborrin e shtëpisë së tij.
Më pas, rezultoi se profesori Shpend Lushi, është vëllai i deputetes së PDSH-së, Sadije Iljazi.
Deputetja e BDI-së, Ermira Mehmeti - Devaja theksoi se bëhet fjalë për fushatë që ka për qëllim të diskreditojë personalitete, të shantazhojë dhe të shkatërrojë familje dhe në fund të shkatërrojë jetë njerëzish.
“Si ka mundësi vallë që dosje kaq të rëndësishme, kaq dosje kaq të besueshme, dosje me informacione kaq diskredituese për zyrtar të një shteti, deputet, ministra funksionar e kështu me radhë të kenë fluturuar në oborrin e një individi dhe që ai pastaj me këto dosje të kryej obligimin e tij qytetar siç e quajti dje” tha zëdhënësja e BDI-së Ermira Mehmeti Devaja.
Kundër këtyre dosjeve të paverifikuara të cilat i nxjerrin si bashkëpunëtor të UDB-së zyrtarët e lartë të BDI-së reaguan sot dy emrat e përmendur deputeti Fazli Veliu dhe ministri Musa Xhaferi, duke i quajtur këto konstruksione të PDSH-së.
Materialet e tilla ditë më parë u publikuan në javoren “Fokus” në gjuhën maqedonase, ndërsa lidhur me to, kryetari i PDSH-së, Menduh Thaçi u prononcua në një konferencë me gazetarët lidhur me këto publikime.
“Unë e kam lexuar gazetën që e përmendët edhe pse aty janë emrat e fshirë, unë z. Ahmeti, sigurisht sot brenda ditës gati të gjithë shqiptarët e kanë të qartë se për cilin bisedohet. Njëri prej tyre është shkruar aty se është i Kërçovës , është në pozicion të ministrit, prej gjashtë ministrave shqiptarë më duket se vetëm njëri është prej Kërçove. I dyti edhe pse janë fshirë emrat dhe datëlindja përmendet Dibra dhe përmendet mbrojtja territorial e ish ushtrisë së Jugosllavisë dhe gjithçka është e qartë” deklaroi Thaçi, duke shtuar se kjo mund të jetë shansi i fundit i Komisionit që të tregohet se a është serioz.
BDI ka theksuar se pret që Komisioni për lustrimin të deklarohet lidhur me këto materiale, ndërsa më pas ajo do të ndërmarrat masat e duhura kundër siç nënvizohet këtyre skenarëve dhe personit që dorëzoi dosjet pranë komisionit.
NOA-INA