English

Ekskluzive NOA – Ja kush është bashkëshortja e re e Edi Ramës

>> Berisha, ja urimi për Ramën

>> Dasma, fundjavën që vjen

>> PS konfirmon: Kryetari po martohet

>> Rama: Protestat, mos më pyesni tani

Tiranë, 16 tetor, NOA – Agjencia NOA ka siguruar foton e Linda Bashës, gruaja e re e kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama.

Linda Basha (Xhillari), është gruaja që shihni në fotografi dhe që nga fundjava e ardhshme, zyrtarisht do të jetë bashkëshortja e kryebashkiakut të Tiranës.

Lideri i opozitës ka konfirmuar vetë në një deklaratë për mediat lajmin për martesën e tij me Lindën.

“Është një moment i veçantë në jetën time që dëshiroj ta ndaj me të afërmit e miqtë në fund të javës së ardhshme”, tha shefi i Partisë Socialiste, Edi Rama.

Ai ka bërë publike të dhënat personale të bashkëshortes, e cila ka lindur në një familje tradicionale tiranase, me mbiemrin Basha.

Kreu i PS-së, theksoi se “Për të, vëllanë dhe motrën e saj dy prindërit pensionistë janë modeli i adhurueshëm i punës, kujdesit dhe dashurisë që mes plot vështirësish e sakrificash ndërtuan një familje të mrekullueshme”.

Sikundër edhe zoti Rama ka një djalë, Gregorin nga martesa e tij me aktoren Matilda Makoçi, edhe Linda Basha ka një vajzë, Rean, që studion arkitekturë.

Shefi i opozitës ka sqaruar se “Bashkëshortja e tij, Linda ka studiuar për ekonomi në Universitetin e Tiranës. Në vitin 1993 ka kryer studimet Master për Ekonomi në Universitetin e New-York-ut dhe Universitetin e Europës Qendrore në Pragë. Prej vitit 1996 mban titullin Doktore e Shkencave Ekonomike”.

Linda Basha është një emër i njohur në administratën publike, pasi ka punuar në detyra të ndryshme ku nuk mungon dhe pedagogia part-time e Gazetarisë në Universitetin e Tiranës.

Puna e saj e parë ka qenë në departamentin ekonomik të Kombinatit të Tekstilit në Tiranë dhe më pas në Agjencinë Kombëtare të Privatizimit pranë Këshillit të Ministrave, ku ka qenë edhe në funksionin e Drejtores së Përgjithshme deri në vitin 1998.

Më pas është përfshirë në aktivitetin e shoqërisë civile si drejtore ekzekutive e Qendrës për Nxitjen e Zhvillimit Njerëzor për dhjetë vite.

Aktualisht Linda Basha mbulon kërkimin dhe zhvillimin shkencor në këtë qendër që sot drejtohet nga Ylli Çabiri, të cilin Presidenti Obama e emëroi së fundmi si të vetmin shqiptar në bordin e Fondacionit Shqiptaro-Amerikan të Zhvillimit.

Linda Basha ka një përvojë të gjatë akademike si lektore e Financave Ndërkombëtare në Universitetin e Tiranës dhe Politikave Publike e Riskut Publik në Universitetin Europian të Tiranës.

Ajo është studiuese e fushave, që lidhen me zhvillimin ekonomik e social.

Sipas Ramës, për llogari të institucioneve ndërkombëtare ajo ka drejtuar punën dhe ka bashkëpunuar për studime mbi reformat për nxitjen e zhvillimit ekonomik dhe biznesit, zbutjen e varfërisë, reformimin e sektorit të arsimit, zhvillimin njerëzor, qeverisjen e mirë, zhvillimin vendor, decentralizimin në Shqipëri e në rajon.

Linda Basha është gjithashtu autore e një sërë publikimesh brenda dhe jashtë vendit, si dhe pjesëmarrëse e ftuar vijimësisht në konferenca ndërkombëtare për këto fusha studimore.

Kryetari i Partisë Socialiste, thekson në deklaratën e tij se bashkëshortja e tij, Linda Basha nuk ka patur aktivitet politik dhe fusha e interesit të saj publik ka qenë e mbetet shoqëria civile shqiptare ku ajo është angazhuar vijimësisht për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht të fëmijeve, grave dhe minoriteteve.

Janë pikërisht këto kontribute të saj për të cilat është zgjedhur edhe anëtare prej disa vitesh në bordin e Fondacionit Soros për Shoqërinë e Hapur në Shqipëri, te cilin e drejton prej dy vjetësh.

Kreu i PS-së, Edi Rama lidhi kurorë këtë mesjavë me Linda Bashën, në një ceremoni larg mediave, mes miqve të ngushtë tij.

Për Edi Ramën kjo është martesa e dytë, pas asaj me aktoren Matilda Makoçi, me të cilën u nda në fillim të viteve '90 dhe nga e cila ka një djalë, Gregorin.

Kreut të Partisë Socialiste i ka uruar jetë lumtur dhe urimet më të mira edhe kryeministri Sali Berisha.

KOMENTE