English

Flama e flamurit

Krijuam pamje të shëmtuar teksa dogjëm flamurin serb para ambasadës serbe në Tiranë, që ishte një gjest primitiv hakmarrjeje i tipit ballkanik. Më keq do të dukemi sikur përnjëmend të ndodhë ajo që paralajmërohet për 28 nëntor - djegia e flamurit serb në Prishtinë

Nga Bardh Frangu

Hatixhja kishte ardhur nga Amerika dhe më 12 qershor të vitit 1999 po bëhej shqiptarja e parë që po shkelte kufirin në Han të Elezit, duke u futur në Kosovë bashkë me grupin e parë të ushtarëve amerikanë. Ishte ndier shumë e emocionuar. Ashtu duke vluar nga emocionet, në qytezën e kufirit maqedono-kosovar, Hatixhja kishte kërkuar nga banorët një flamur kombëtar që ta ngulte në shenjë triumfi mu në kufi. Për fatin e saj të keq dhe dëshpërimin e madh, ajo nuk kishte gjetur askund flamur me shqiponjë. Hatixhja pastaj u bë pjesë e rëndësishme e stafit në “Bondstill”, por edhe banore e fshatit Sojevë, ku ishte ngritur një treg i madh për shitjen e flamujve, gjë të cilën ajo zor se do ta kishte besuar ditën e 12 qershorit. Besoj se kjo parantezë është një përgjigje e duhur për të gjithë ata që nuk mund ta kalojnë flamën e flamurit kombëtar, duke mbetur të mbërthyer ashpër nën logjikën ballkanase, ku vetëm emblemat dhe flamujt kanë kuptim. Mbase kjo do të ishte një përgjigje edhe për heronjtë e vonuar dhe shpërlarësit e ndërgjegjeve të pista që tmerrshëm abuzuan me simbolet kombëtare. Tek shikoj një ftesë në Facebook, nëpërmjet të cilës bëhet ftesë që më 28 nëntor të bashkohemi në Prishtinë për djegien e flamurit serb, ndjehem i tmerruar. Në mendje m’u sollën pamjet e djegies së flamurit të Dardanisë. Njësoj ndjehem keq tek lexoj një koment ku konstatohet se mbi 99 për qind e shqiptarëve kanë qenë kundër heqjes së flamurit kombëtar me rastin e pritjes së Sekretares Amerikane, Hillari Clinton. Në përgjithësi, zhurmë e madhe u bë për heqjen e flamurit kombëtar dhe krijimin e hapësirave protokollare për flamurin e ri të shtetit më të ri. Të krijohej bindja sikur vullneti për pavarësi dhe shtetësi të ishte krejt i rremë. Për fat të mirë nuk është kështu, por e kundërta. Të gjithë jemi dëshmitarë të pranisë së ngadaltë, por të suksesshme të flamurit të ri. Në fillim edhe institucionet ngurruan ta përdorin këtë simbol të shtetit të Kosovës, por me kohë edhe qytetarët u mësuan ta identifikojnë shtetësinë e tyre me të. Fillimisht, flamuri shtetëror u përdor i vendosur për shpinën e flamurit kombëtar. Pastaj ngadalë nisi të shkëputet nga ai dhe të përdoret si i vetëm. Thuhet se Ambasada Amerikane, e cila edhe udhëhoqi protokollin për pritjen e mikeshës së madhe të shqiptarëve, Hillary Clinton, ishte kujdesur që flamuri i shtetit të tyre të gjendej vetëm përkrah flamurit i cili identifikon pavarësinë e Kosovës. Personalisht u ndjeva mirë me këto pamje, të cilat për herë të parë në Kosovë ndërtonin një imazh të shtetit të ri. Reagimet e shumta për heqjen e flamurit kombëtar dëshmojnë se gjithnjë e më shumë po zvogëlohet forca e baterive që mbajnë ndezur një patriotizëm primitiv. Madje, në këtë rast nuk kisha si të mos kujtoja paraqitjen e zërave të parë publikë për krijimin e një flamuri të ri për Kosovën, të cilët në kuadër të një lëvizjeje politike po ideonin konceptin për pavarësi. Kjo gjë kishte ndodhur para afro 20 vjetëve. Zërat e tillë atëbotë nuk u cilësuan as si tradhtarë, as si të shitur e as si servilë, por thjesht u futën në listën e atyre që duhet hequr kokat. Për fat të mirë, ato koka mbetën gjallë dhe sigurisht se kanë pasur arsye që më së shumti t’iu gëzohen imazheve të flamurit të ri karshi atij amerikan. Rastet në Gjenova, Tiranë dhe Prishtinë, dëshmuan se Ballkani do të vazhdojë edhe për ca kohë të jetë i mbërthyer në mite, që përdoren për ndërtimin e një krenarie të rrejshme, e cila nuk prodhon gjë tjetër pos fatkeqësi. Në këtë mënyrë, Ballkani do të vazhdojë të funksionojë si një strehë e horrave, përderisa nuk krijohet një frymë e nevojshme qytetarie, e cila do të krijonte një klimë që në vend të realitetit historik të pranohet realiteti etnik dhe që njerëzit në këto hapësira të jetojnë në koekzistencë paqësore. Rasti i marrëzisë serbe në Gjenova të Italisë nuk dëshmonte më shumë se një inercion etnopsikologjik të këtij populli, i cili në mënyrë perverse konverton humbjet në fitore. Simpatizantët e kombëtares serbe shkuan në Gjenova për të festuar humbjen e turpshme që përjetuan nga kombëtarja e Estonisë në mes të Beogradit. Serbët përdorën këtë ngjarje sportive edhe për shfryrje nacionaliste kundër Europës dhe integrimeve të saj. Kështu bënë edhe në fillim të viteve nëntëdhjetë, kur kishin përdorur pikërisht ngjarjet sportive për ta ndezur në luftë hapësirën e ish Jugosllavisë. Edhe ne u dukëm në pamje të shëmtuar teksa dogjëm flamurin serb para ambasadës serbe në Tiranë, duke dëshmuar një gjest primitiv hakmarrjeje të tipit ballkanik. Më keq do të dukemi sikur përnjëmend të ndodhë ajo që paralajmërohet për 28 nëntor. Të shpresojmë që flama për flamurin kombëtar të mos shkaktojë kollitje të cilat do t’i dëmtonin mushkëritë e flamurit shtetëror të Kosovës, por të jetë sall një si fruth që kalohet në fazë të hershme të fëmijërisë. E flamuri i ri nuk ka më shumë se dy vjet.

KOMENTE