Bruksel, 16 tetor, NOA – Nga ana e qeverisë shqiptare, po ndërmerren të gjitha masat e nevojshme për të informuar publikun shqiptar mbi rregullat për lëvizjen në zonën Shengen.
Për një fakt të tillë, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto e ka siguruar komisionerin për Zgjerimin në Bashkimin Evropian, Stefan Fyle, gjatë një takimi të përbashkët në kuadër të vizitës në Bruksel, ku u diskutua mbi procesin e liberalizimit të vizave, si dhe progresin e vazhdueshëm në realizimin e reformave për një integrim sa më të shpejtë në BE.
Në këtë takim, Haxhinasto falënderoi Fylen për mbështetjen e tij të vazhdueshme për liberalizimin e vizave, nga e cila do të përfitojnë gjithë qytetarët shqiptarë.
Ndërkaq, bashkëbiseduesit shkëmbyen mendime mbi ecurinë e procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian.
Haxhinasto theksoi vullnetin dhe përkushtimin e qeverisë shqiptare në realizimin e reformave të ndërmarra, me synim realizimin konkret të këtij objektivi madhor për Shqipërinë.
Në vazhdim të dialogut për zhvillimet politike në Shqipëri, Haxhinasto siguroi komisionerin Fyle për vullnetin e plotë të maxhorancës qeverisëse për të pasur një dialog institucional, sipas parimeve kushtetuese, për të adresuar çështje të transparencës dhe reformës zgjedhore.
Gjithashtu, ai nënvizoi faktin se tashmë prej kohësh i është bërë oferta opozitës që të angazhohet në një proces normal politik, si dhe për të siguruar në kohë përmirësimin e kodit zgjedhor, bazuar në rekomandimet e OSBE-ODHIR.
n.e/NOA