Tiranë, 16 tetor, NOA - Kryqi i Kuq Shqiptar dhe Fondacioni Vodafone Albania, së bashku për rritjen e ndërgjegjësimit publik në Ditën Botërore kundër Urisë.
Kryqi i Kuq Shqiptar vijon traditën e përvitshme të organizimit të një fushate sensibilizuese dhe ndihmuese në kuadër të 17 Tetorit, Ditës Botërore kundër Urisë, me sloganin “Mendoni për ata që nuk janë si ju”.
Me mbështetjen e Fondacionit Vodafone Albania, kjo fushatë sensibilizuese do të shtrihet në të gjithë territorin e vendit dhe synon që të aktivizojë kontributin e qytetarëve e sidomos të biznesit për të ndihmuar një numër prej rreth 5.000 përfituesish që janë njerëz në nevojë, të moshuar të vetmuar dhe familje në vështirësi ekonomike në të gjithë vendin.
Kjo fushatë synon të nxisë publikun e gjerë dhe në mënyrë të veçantë rininë që të solidarizohen me njerëzit që janë në nevojë si dhe të ndikojnë sadopak në përmirësimin e gjendjes në të cilën ata ndodhen. Ndërgjegjësimi i komunitetit po realizohet nëpërmjet transmetimit të spotit për këtë veprimtari dhe shpërndarjes së materialeve promovuese nga vullnetarët e KKSH.
Fushata ka gjetur mbështetje nga shkollat 9-vjeçare dhe të mesme në të gjithë vendin nxënësit e të cilave po kontribuojnë në ndihmë të më nevojtarëve.
Dita Botërore e Urisë e ka fillesën në vitin 1999. Në këtë vit, Kryqi i Kuq Polak zhvilloi një fushatë mjaft të suksesshme të cilën e quajti “Dita kundër Urisë”.
Kjo fushatë u bazua në idenë origjinale të Kryqit të Kuq Finlandez që 17 Tetori të jetë “Dita Ndërkombëtare e të Ushqyerit dhe e Luftës kundër Urisë”.
Në vitin 2002, 8 shoqata të Kryqit të Kuq të rajonit të Europës Qendrore dhe Juglindore, ndër të cilat dhe Kryqi i Kuq Shqiptar organizuan, “Fushatën e Ditës kundër së Urisë”. Numri në rritje i vendeve që bashkohen me këtë fushatë me një larmi gjithmonë e më të madhe të aktiviteteve, tregon rëndësinë që shoqatat e Kryqit të Kuq i japin vit pas viti kësaj veprimtarie.
n.e/NOA