English

LDK del nga koalicioni qeveritar me PDK-në e Thaçit

Prishtinë, 16 tetor, NOA – Pas kaq ditë zërash nëpër media, duket se sot Lëvizja Demokratike e Kosovës i ka dhënë fund koalicionit të saj me Partinë Demokratike të Hashim Thaçit.

Lajmi është bërë i ditur sot përmes një komunikate për mediat, e nënshkruar nga kryetari i LDK-së, ish presidenti Fatmir Sejdiu.

Ky vendim i kryesisë së LDK-së, bën me dije se “që nga data 18 tetor, ministrat dhe zëvendëskryeministri i qeverisë nga kjo parti duhet të dorëzojnë përfundimisht detyrën.

LDK gjithashtu njofton se ajo do të mbetet e përkushtuar dhe se do të kontribuojë fuqishëm në të gjitha proceset demokratike dhe shtetërore në interes të Kosovës.

Por, zëvendëskryeministri i Kosovës, Hajredin Kuçi tha pas këtij vendimi se “LDK-ja futi Kosovën në një krizë institucionale".

Kjo lëvizje e LDK-së vjen një ditë pasi presidenti në detyrë i Kosovës, Jakup Krasniqi vendosi dje se zgjedhjet e parakohshme do të mbahen në 13 shkurt të vitit të ardhshëm, katër ditë para trevjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, në 17 shkurt të 2008-ës.

mit/NOA
KOMENTE