Fier, 16 tetor, NOA – “Politika jonë, nuk është ajo e largimit të shqiptarëve, por e angazhimit të tyre për të ndërtuar Shqipërinë evropiane, e cila nuk mund të ndërtohet as brenda një dite dhe as brenda një viti, por e cila mund të ndërtohet çdo ditë”.
Kështu u shpreh sot kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, gjatë një takimi në qytetin e Fierit, duke shtuar se “ky është vendi i të gjithëve, ky nuk mund të jetë vendi i një pjese kundër një pjese tjetër, por kjo politikë përjashtuese e ka penguar Shqipërinë që të ishte dhe në një pozitë edhe më të mirë integrues apo për t’i pasur standardet ekonomike akoma më të larta”.
Sepse sipas tij, në themel të vlerave të LSI-së, qëndron mirënjohja për gjeneratat që kanë sakrifikuar dhe kanë punuar për këtë Shqipëri që është sot, prandaj LSI është një forcë e lindur për të vlerësua integrimin evropian të Shqipërisë si të vetmen rrugë që shqiptarët të jenë qytetarë të barabartë si qytetarët e tjerë të Evropës së bashkuar.
“Në emër të këtyre vlerave dhe zhvillimeve ne kemi kontribuar edhe gjatë viti të parë të një bashkëqeverisje të re, e cila solli një risi të veçantë, por njëkohësisht si një qeverisje e cila ka kontribute të rëndësishme jo vetëm për stabilitetin e vendit, dhe një vit ku për fat të keq, lidershipi i opozitës ka treguar një papjekuri të padëgjuar edhe për vende të tjera më pak të zhvilluara si Shqipëria, por jo vetëm kaq ka shumë arritje të prekshme ku arritja më e madhe e Shqipërisë dhe e shqiptarëve është përmbushja e gjithë detyrimeve për liberalizimin e vizave në mënyrë që gjithë qytetarët e Fierit dhe të Shqipërisë brenda pak javëve të lëvizin të lirë si qytetarët e tjerë të Bashkimit Evropian”, tha më tej Meta.
Duke përfunduar se “në qendër të politikës tonë, nuk është vetëm integrimi i Shqipërisë ne Evropë, por është dhe integrimi i çdo qytetari, i çdo fëmije në rrjedhat evropiane të vendit tonë”.
“Ndaj na duhet, një LSI më e fortë, një LSI më e organizuar, një LSI e cila të jetë në gjendje të orientojë veprimin qeverisës të përfaqësuesve të saj në qeverisjen qendrore dhe në qeverisjen vendore”, përfundoi fjalën e tij, Ilir Meta.
n.e/NOA