Shkup, 16 tetor, NOA/Nga Gafurr Adili - Kosova aktualisht është Palestina e Re e Ballkanit për shumë arsye, ku kryesorja është sepse ashtu si Palestina që quhet shtet i pavarur, edhe Kosova quhet shtet i pavarur.
Sepse ashtu si Palestina që e ka Kushtetutën dhe institucionet e saj, edhe Kosova e ka Kushtetutën dhe institucionet e saj, por gjithashtu, ashtu si Palestina që nuk e ka ushtrinë e saj dhe Ministrinë e Mbrojtjes, edhe Kosova nuk e ka ushtrinë e saj dhe Ministrinë e Mbrojtjes.
Sepse, ashtu si në Palestinë, përmes enklavave çifute në territorin e shtetit të pavarur të Palestinës që menaxhon Izraeli, edhe në Kosovë, përmes enklavave serbe në territorin e shtetit të pavarur të Kosovës, po "livadhis" Serbia.
Sepse, ashtu si për dekada të tëra që zhvillohen bisedime (me ndërmjetësim ndërkombëtar) midis Palestinës dhe Izraelit, edhe midis Kosovës dhe Serbisë janë zhvilluar dhe do të zhvillohen pafundësisht bisedime.
Por ashtu si Izraeli që nuk e ka njohur dhe nuk e njeh Palestinën si shtet të pavarur e sovran, edhe Serbia nuk e ka njohur dhe nuk e njeh Kosovën si shtet të pavarur e sovran.
Prandaj, të gjitha forcat patriotike shqiptare nuk duhet të tolerojmë që Kosova të mbetet Palestina e Re e Ballkanit, por ato duhet të bashkohen urgjentisht dhe t'i fitojnë zgjedhjet në Kosovë, prandaj urgjentisht kërkohet unifikimi i të gjitha forcave patriotike shqiptare të Kosovës.
g.a/n.e/NOA