Tiranë, 16 Tetor, NOA Fotot Update – Ish-diktatori i Shqipërisë, Enver Hoxha, i cili e drejtoi atë për mëse 40 vjet, sot do të mbushte 102 vjeç, nëse do të ishte ende gjallë.
I lindur në vitin 1908, data e 16 tetorit, për dekada të tëra përkujtohej dhe festohej në vendin tonë si ditëlindja e sovranit, e udhëheqësit më të madh të shtetit, duke u kthyer në një simbol feste dhe gëzimi për gjithë shqiptarët, shoqëruar me manifestime nga më të ndryshmet.
Por edhe pse regjimi që ai drejtoi është rrëzuar prej dy dekadash, ka ende simpatizantë dhe mbështetës të tij, të cilët ende e përkujtojnë këtë ditë, duke vënë lule në varrin e tij dhe duke kryer homazhe.
Enver Hoxha lindi në Gjirokastër më 16 tetor 1908, ndërsa gjatë periudhës së viteve 1917-1924, ndoqi mësimet në shkollën qytetëse "Drita" të Gjirokastrës dhe gjatë viteve 1924-1927, studimet në Liceun francez në Gjirokastër, e më pas në atë të Korçës.
Më pas, vazhdoi studimet në Paris, ku qëndron gjer nga fundi i vitit 1935.
Njihet si themelues i Partisë Komuniste të Shqipërisë, më 8 nëntor 1942 dhe për pjesëmarrjen në Luftën Antifashiste Nacional-çlirimtare.
Ai do të zgjidhej kryeministër i vendit ende pa mbaruar lufta dhe pas saj, do të instalonte në Shqipëri për dekada të tëra një sistem komunist totalitar, sipas modelit sovjetik.
Ndërsa në 11 prill të vitit 1985, ai do të ndahej nga jeta në moshën 77-vjeçare, duke lënë një trashëgimi të tërë historike për vendin, pavarësisht interpretimeve të saj.
n.e/NOA
Shihni të gjitha fotot: Një nunër ithtarësh të Enver Hoxhës u mblodhën te varri i ish-diktatorit komunist për të kujtuar 102-vjetorin e lindjes. Fotot: NOA/LSA