Maqellarë (Peshkopi), 17 tetor, NOA – Drejtuesi i një kamioni ka humbur jetën ditën e sotme ndërsa ka qenë duke punuar në një gurore. Korrespondenti i Agjencisë NOA raporton se ngjarja ka ndodhur në fshatin Maqellarë.
Bëhet fjalë për 40-vjeçarin Adhurim Seferi. Sipas dëshmitarëve në vendngjarje, Seferi ka qenë duke shkarkuar kamionin e tij të ngarkuar me gurë dhe ka qenë jashtë automjetit.
Mendohet se nga pakujdesia disa prej gurëve janë rrokullisur dhe e kanë goditur duke i shkaktuar dhe plagë të rënda, të cilat i kanë sjellë dhe vdekjen më pas.Personat që ndodheshin në vendngjarje janë munduar të japin ndihmën e parë. Por goditja e gurëve ka qenë fatale për 40 vjeçarin.
Policia ka shkuar në vendngjarje dhe tha se po heton shkaqet e plota që kanë sjellë aksidentin që i mori jetën 40-vjeçarit Adhurim Seferi.
a.k/NOA