Tiranë, 17 tetor, NOA – Ndërsa në një pjesë të vendit kanë nisur problemet e para të shkaktuara nga reshjet e shiut, në kryeqytet banorët kanë nisur protestat për furnizimin me ujë të pijshëm.
Banorët e zonës së Unazës së Re kanë zhvilluar sot një tubim në shenjë proteste për mos furnizimin me ujë nga institucionet përgjegjëse.
Banorët, të cilët banojnë në zonën e pallateve të reja që janë ndërtuar vitet e fundit, kanë kërkuar nga drejtuesit e Ujësjellësit të që gjenden mënyrat për të sjellë në shtëpitë e tyre ujin e pijshëm.
Përfaqësues të banorëve kanë thënë se prej disa vitesh autoritetet përgjegjëse nuk kanë krijuar kanalizimet për ujin.Ata kanë deklaruar se gjatë kësaj kohe janë furnizuar me ujë vetëm nga puset e hapura.
Ndërkohë që uji i nxjerrë nga këto puse nuk i ka të gjitha parametrat e sigurisë për t'u konsumuar.
Sipas drejtuesve të Ujësjellësit në Tiranë, problemi për furnizimin e kësaj zone lidhet me ndërtimet e reja.
Sipas tyre një pjesë e ndërtimeve dhe pallateve janë bërë mbi tubat e ujësjellësit, gjë që e vështirëson ndërhyrjen në rrjet.
Në tubimin e banorëve të zonës ka qenë i pranishëm dhe deputeti i PS-së, Saimir Tahiri.
a.k/NOA