English

Haxhinasto: Opozita duhet të marrë ofertën e mazhorancës, të angazhohet për reformat

Tiranë, 17 tetor, NOA – Pas vizitës treditore në Bruksel, ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto deklaroi se ka marrë garancinë e krerëve të Bashkimit Evropian se brenda fundvitit shqiptarët do të lëvizin pa viza në të gjithë hapësirën shengen.

Ministri i Punëve të Jashtme, theksoi se në takimet që pati me ministrin e Jashtëm belg, me komisionerin Fule si dhe me deputetët të PE-së u vlerësua progresi i bërë nga Shqipëria si dhe realizimi i të gjithë detyrimeve në kuadër të liberalizimit të vizave.

“Përsa i takon çështjes së opinionit për marrjen e statusit të vendit kandidat mund të them se ky opinion është në hartim e sipër, por sigurisht që mora garancitë, që ky opinion do të jetë një paraqitje objektive dhe realiste e situatës në Shqipëri, do të jetë një opinion inkurajues për të vazhduar më tej reformat e nisura nga vendi përsa i takon integrimit”, tha në konferencën për shtyp ministri Haxhinasto.

Ministri i Punëve të Jashtme nënvizoi se krerët e BE-së, kërkojnë që opozita të bashkëpunojë me mazhorancën dhe të angazhohet në një proces normal politik, duke miratuar legjislacionin mbi reformat kryesore në vend, si përshembull ligjin gjykatën administrative si dhe reformën zgjedhore.

I pyetur rreth takimit me komisionerin Fule, zoti Haxhinasto tha se “Pritshmëritë e Komisionit janë të qarta, që kërkojnë se opozita duhet të marrë ofertën, që i është bërë asaj nga ana e maxhorancës me qëllim që të angazhohet në një proces të mirëfilltë legjislativ dhe të miratohet në kohë ajo paketë ligjore, që do të realizojë reformën aq shumë të pritur zgjedhore me qëllim, që zgjedhjet e ardhshme të shënojnë plotësimin e plotë të standardeve për zgjedhje të lira dhe të ndershme”, bëri me dije ministri Haxhinasto.

Në këtë kontekst lidhur me votimin e ligjit për Gjykatën Administrative, ministri Haxhinasto pohoi se “Maxhoranca pret që opozita të tregojë përgjegjshmërinë që ka para shqiptarëve me qëllim që axhenda e integrimit të shqiptarëve të mos mbetet peng e liderëve të caktuar dhe e axhendave personale të tyre”.

Sa i përket heqjes së imunitetit të deputetit socialist, Ilir Beqja, zoti Haxhinasto tha se “për çështje të tilla nuk ka vend për subjektivizma qofshin ato dhe politikë, Lëvizja Socialiste për Integrim i përmbahet gjithmonë ligjeve të këtij vendi për të zgjidhur edhe çështje të tilla”.

mit/NOA
KOMENTE