English

Idrizi: Kongres mbarëshqiptar për zgjidhjen e çështjes kombëtare

Tiranë, 17 tetor, NOA – Partia Drejtësi dhe Unitet do të inicioi një kongres mbarëshqiptar me përfaqëues së diasporës nga gjithë bota ku do të hartohet një platformë për çështjen kombëtare.

Kreu i PDU-së Shpëtim Idrizi dhe deputeti Dashamir Tairi, pas vizitës në SHBA, dhanë sot një konferencë për mediat ku prezantuan disa pika të strategjisë.

“Shumë shpejt do të organizohet në Tiranë një kongres mbarëshqiptar me përfaqësues nga gjitha shtetet ku ndodhen trojet kombëtare shqiptare, nga diaspora e vjetër dhe e re ku do të përpilohet një platformë konkrete, e realizueshme dhe objektive për zgjidhjen e çështjes kombëtare”, tha sot Idrizi

Ai u shpreh se kjo platformë do të përdoret si mjet presioni ndaj qeverive të vendeve përkatëse dhe një pikë referimi për zgjidhjen e çështjes kombëtare.

Idrizi deklaroi se në SHBA kanë pasur takime me përfaqësues të lartë të Senatit Amerikan ku kanë marrë mbështetje për çështjen çame.

Ai ka përmendur dhe takimet me përfaqësues të djasporës. “Gjatë takimeve me diasporën shqiptare u prezantua ideja e krijimit të Këshillit Kombëtar të Diasporës, e cila do të merret ekskluzivisht me problemet e shqiptarëve jashtë trojeve kombëtare, diasporën e re dhe të vjetër; si përsa i përket mësimit të gjuhës amtare, ruajtjen e lidhjeve me atdheun, ashtu edhe për zgjidhjen e problemeve të përditshmërisë, që hasin shqiptarët jashtë vendeve të tyre”, tha Idrizi.

Idrizi u shpreh se kjo vizitë e suksesshme e PDU-së, është vetëm e para vizitë zyrtare në kuadër të realizimit të objektivave të vendosura në programin e saj me kahje SHBA-në. “Ajo është kulmi i një aktiviteti të dendur një vjeçar, ku propagandimi dhe zgjidhja e çështjes kombëtare dhe çështjes çame morën një hov të madh cilësor dhe sasior jo vetëm brenda vendit, por dhe jashtë tij. PDU mbetet lokomotiva e zgjidhjes se çështjes kombëtare shqiptare dhe nismëtarja e zgjidhjes së çështjes çame”, tha ai.

a.k/NOA

KOMENTE