English

Policia flet zyrtarisht mbi aksidentin e ndodhur në Kavajë

Kavajë, 17 tetor, NOA – Aksidenti i ndodhur mbrëmjen e djeshme në segmentin Plepa–Kavajë ka qenë fatal për dy prej pjesëtarëve të familjes Gurra nga Librazhdi. Në komunikim zyrtar Policia e Qarkut të Durrësit konfirmon se si pasojë e aksidentit kanë vdekur Bujar Gurra, 34 vjeç dhe Resmie Gurra, 16 vjeçe, të dy lindur e banues në Librazhd.

Ndërkohë që tre anëtarët e tjerë të familjes Gurra janë shtuar në spital. Personat e plagosur janë Idriz Gurra, 40 vjeç, i cili është dhe drejtues i mjetit, Pranvera Gurra, 30 vjeçe, dhe Ergest Gurra, 20 vjeç. Dy të parët janë në gjendje më të mirë shëndetësore dhe janë shtruar në Spitalin e Durrësit.

Ndërkohë që Ergest Gurra është dërguar në Spitalin Ushtarak të Tiranës dhe sipas mjekëve është jashtë rrezikut për jetën.

Aksidenti tragjik ndodhi mbrëmjen e djeshme në orën 19.00, në segmentin rrugor Plepa–Kavajë, në afërsi të Malit të Robit.

Makina tip fuoristradë “Isuzu” me targa TR 0670T, që drejtohej nga Idriz Gurra është përplasur me kamionin me rimorkio “Benz” me targa MT 2745 A dhe MT 3182 A (rimorkio). Në drejtimin e kamionit ka qenë Artur Mallkuçi.

Policia sqaron se ka arrestuar në flagrancë 36-vjeçarin Artur Mallkuçi nga Mamurrasi.

a.k/NOA

KOMENTE