Tiranë, 17 tetor, NOA – Vetëm pak pasi ministri i Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto i kërkoi opozitës të bashkëpunojë me qeverinë për zgjidhjen e krizës politike në vend, ka reaguar edhe selia rozë, që i ka rikujtuar anëtarit të kabinetit qeveritar se është mazhoranca shkaktarja e krizës.
Deputetja e Partisë Socialiste, Olta Xhaçka i kujtoi ministrit Haxhinasto se “rezoluta e fundit e Parlamentit Evropian kërkon ngritjen e një komisioni hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit me shumicë dhe drejtimin e opozitës. Dhe është mazhoranca, që e ka bllokuar zbatimin e kësaj rezolute”, theksoi Xhaçka.
Deputetja socialiste, i rikujtoi ministrit të Punëve të Jashtme edhe letrën më të fundit të Komisionerit për Zgjerimin Stefan Fule, i cili i kërkoi kryeministrit Sali Berisha zgjidhjen e krizës përmes bashkëpunimit dhe konsensusit për hetimin e zgjedhjeve të 28 qershorit, të cilat sipas deputetes Xhaçka, komisionari ia tha edhe vetë haxhinastos, kur ky i fundit ishte në Bruksel, pak ditë më parë. Në këtë kontekst deputetja socialiste, Olta Xhaçka ripërsëriti se “opozita shqiptare e ka bërë tashmë ofertën e saj për zgjidhjen e krizës në përputhje të plotë me rezolutën e Parlamentit Evropian”.
Sipas deputetes socialiste e keqja qëndron në faktin se ndërkohë që kambanat për krizën vijnë nga e gjithë Evropa, është kryeministri Berisha ai që ka zgjedhur të besojë se vendi nuk është në krizë.
mit/NOA