English

Tahiri: Policia dhunoi protestuesit për ujin e pijshëm te Unaza e Re

Tiranë, 17 tetor, NOA – Partia Socialiste ka dalë në mbështetje të protestës së zhvilluar sot nga dhjetëra banorë të një blloku pallatesh tek Unaza e Re për shkak të mungesës së ujit të pijshëm.

Protestës i është bashkuar dhe deputeti i Partisë Socialiste Saimir Tahiri. Në një prononcimi për mediat ai tha se forcat e policisë nuk po i lejojnë qytetarët që të kërkojnë një të drejtë të tyre.

“I gjithë shteti dhe e gjithë forca represive e shtetit është mbledhur këtu, për të ushtruar dhunë ndaj një proteste fare normale dhe fare të ligjshme të këtyre qytetarëve të kësaj zone këtu në Unazën e Re, që nuk kanë ujë, nuk kanë drita, nuk kanë infrastrukturë, nuk kanë kanalizime”, tha Tahiri.

Ai theksoi se shtetit ka dyshuar në marrjen e masave për qytetarët. “Praktikisht një shtet i tërë që mungon për këta qytetarë, vjen dhe i godet sa herë që këta protestojnë. Është pak të thuash që ky shtet ka rënë, përsa kohë që e vetmja gjë që duhet të bëjë për qytetarët është ti godasë sa herë ata hapin gojën për të kërkuar të drejtat e tyre”, tha Tahiri. Deputeti socialist u shpreh se protestat do të vazhdojnë deri në plotësimin e kërkesave të qytetarëve.

“Një gjë është e sigurt, ne do të jemi këtu dhe do të vazhdojmë të jemi këtu, të protestojmë në rrugë, në shtëpi, në pallate, në lagje, kudo. Të protestojmë me të gjithë ata qytetarë që kërkojnë të drejtat e tyre minimale”, tha deputeti i PS-së.

a.k/NOA

KOMENTE