English

Topalli: Festojmë 100-vjetorin e lindjes së Nënë Terezës në stinën e heqjes së vizave

Tiranë, 17 tetor, NOA – Është çelur sot në mjediset e kryesisë së Kuvendit edicioni i katërt i Festivalit Evropian të Koreve të Dhomës.

Ky aktivitet që zhvillohet nën kujdesin e kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, në kuadër të aktiviteteve për kremtimin e 100 vjetorit të lindjes së Nënë Terezës, mblodhi këtë të dielë në mjediset e Kryesisë përfaqësues të artit shqiptar dhe trupit diplomatik.

Kryetarja e Kuvendit në fjalën e saj përshëndetëse e lidhi kremtimin e 100 vjetorit të lindjes së shenjtores shqiptare me heqjen e vizave për shqiptarët, një ëndërr që pritet të realizohet në fund të këtij viti.

“Ky aktivitet që bëhet në nder të 100 vjetorit të Nënë Terezës por dhe në afërsi të lumturimit të saj rastis edhe me një stinë të jashtëzakonshme për ne shqiptarët, që ka të bëjë me dimensionin e lirisë, me një dimension njerëzor që bashkon këtë përkujtim të Nënë Terezës me gëzimin tonë në kuadër të heqjes së vizave”, u shpreh Kryetarja e Kuvendit.

Ajo e vlerësoi këtë ngjarje si shprehje të një tradite të jashtëzakonshme të qytetërimit dhe kulturës sonë kombëtare.

“Unë dua të falënderoj artistët, si dhe t’i uroj shumë suksese grupeve korale, që vijnë jo vetëm nga Shqipëria, por edhe nga vende të tjera të Evropës. Pa dyshim, ky koncert është shprehje e një tradite të jashtëzakonshme dhe grupet që vijnë nga qytete si Shkodra, Tirana, Korça etj, dëshmojnë civilizimin e këtyre vendeve”, tha zonja Topalli.

Në vijim të aktivitetit interpretuan disa prej grupeve korale që do të performojnë në festivalin kushtuar ditës së lumturimit të Nënë Terezës.

Ky festival organizohet nga Kuvendi i Shqipërisë dhe qeveria shqiptare në nder të figurës së humanistes së madhe, Nënë Tereza, në 100 vjetorin e lindjes së saj.

mit/NOA
KOMENTE