Lamia, 17 Tetor 2010 NOA / Vera Duro – Një konfrontim mes emigrantësh shqiptarë përfundoi me vdekjen tragjike të njërit prej tyre, 34 vjeçar, raporton bashkëpunëtorja e agjencisë NOA në qytetin e Lamias, Greqi.
Ngjarja, siç shihni dhe nga fotot e dërguara, ka ndodhur pranë Jetimores publike në rrugën Smirnis.
Shqiptari 34 vjeçar gjendej në një tavernë në këtë rrugë të Lamias, bashkë me një shokun e tij, mbrëmjen duke hyrë dita e sotme (e Diel) dhe u përball në rrethana ende të paqarta me tre shqiptarë të tjerë të cilët hynë brenda lokalit dhe nisën të ushtronin dhunë ndaj të dyve.
Dëshmitarët okularë treguan se u befasuan nga goditjet dhe nuk arritën të reagojnë.
“Tre personat që ishin shqiptarë, hynë në lokal, u drejtuan për nga tavolina ku po darkonin dy bashkatdhetarët e tyre dhe i qëlluan ata me ç’të mundnin. Rrëmbyen karriget dhe i qëlluan në kokë e në trup kurse njëri prej tyre mbante dhe një levë që e përdori disa herë”, - treguan dëshmitarët në lokalin e vrasjes. Kurse njëri nga të tre agresorët, iu drejtua 34 vjeçarit dhe e qëlloi atë me thikë duke e plagosur seriozisht.
Sakaq, njeri prej dy te futurve në kurth, 28 vjeçar, arriti të ngrihej dhe duke qëlluar agresorët me karrige, vrapoi i plagosur jashtë lokalit.
Menjëherë pas agresionit, autorët u zhdukën duke vrapuar në rrugë dhe pak metra pasi ishin larguar nga lokali, hipën mbi një veturë në ngjyrë të bardhë dhe u zhdukën.
Dy të plagosurit u dërguan në spitalin e Lamias nga dëshmitarët e lokalit, por pak minuta më vonë, njëri prej tyre, ai 34 vjeçar, dha frymën e fundit nga plagët fatale që kishte marrë me thikë.
I mbijetuari i ngjarjes, tha se i njihte të tre shqiptarët që i sulmuan dhe se ata ishin drejtuar në lokal pikërisht për t’u marrë me të.
“Ne kishim nja tre vjet që kishim pasur një konflikt që kish ardhur për shkak të një keqkuptimi dhe kishim folur për këtë gjë e unë mendova se ishim sqaruar. Ardhja e tyre më befasoi dhe ajo që bënë, i mori jetën mikut tim”, - ka pohuar 28-vjeçari që gjendet në spital jashtë rrezikut për jetën.
Policia tha se ka identifikuar që të tre të dyshuarit dhe po bën përpjekje për t’i lokalizuar pas arratisë, por deri sot pasdite ende nuk ka bërë asgjë dhe dyshon se mund të jenë larguar në drejtim të Shqipërisë, ndaj kanë sinjalizuar autoritetet policore shqiptare duke dhënë detajet e ngjarjes dhe emrat e dt dyshuarve dhe viktimës, që për mediat refuzoi t’i bëjë publike.
v.d/e.r/NOA